
Analisti Ergys Mërtiri i ftuar në emisionin “Të Peekspozuarit” në MCN ngriti dyshime se protesta e opozitës nuk ka qëllime politike të qarta, por mund të përdoret nga Sali Berisha për të krijuar rrëmujë në një moment kur ndaj tij po vijojnë hetimet e SPAK-ut.
Ai u shpreh se protesta ishte e paqartë, me pjesëmarrje minimale dhe pa asnjë mesazh të ri, duke e bërë opozitën të duket e dobët. Sipas Mërtirit, një lider që mbledh vetëm militantë dhe jo qytetarë nuk mund të pretendojë se po delegjitimon qeverinë.
Ai shtoi se mbetet e paqartë nëse Berisha po kërkon të shpëtojë veten apo thjesht po mban me gajret militantët e zhgënjyer.
“Problemi është se ka po ashtu një mijë arsye për të refuzuar këtë mënyrë se si po bëhet opozitë këtu dhe për t’u rreshtuar në këtë lloj dështimi të të bërit opozitë.
Protesta, sipas meje, ka shumë probleme, një prej të cilave shkon deri në absurd. Ka një hutim total: për shembull, pashë sot njerëz që thonë se nuk ka rëndësi numri i pjesëmarrësve në protestë. Po për çfarë bëhet atëherë? Për çfarë i thërret njerëzit? Nëse s’ka rëndësi numri, atëherë për çfarë e organizon ti? Nëse është vetëm për të folur, mund të flasësh kudo. Nëse s’të lënë në parlament, del e flet në parti, bën konferenca për shtyp. Mund të mbledhësh njerëz, të organizosh takime dhe tryeza të rrumbullakta. Nuk ka një mijë e një arsye për të zgjedhur këtë mënyrë dhe as mënyrën se si fton mediat apo u flet njerëzve.
A u tha aty ndonjë gjë që s’është thënë më parë, që kërkon domosdoshmërisht këtë formë? Të gjitha këto tregojnë se opozita është krejtësisht e paqartë dhe nuk e di pse po e bën këtë. Parimisht një protestë ka dy qëllime: ose të rrëzojë qeverinë — gjë që kjo protestë nuk e ka synuar — ose ta delegjitimojë atë. Në të dyja rastet duhen numra, duhen njerëz.
Qeveria rrëzohet kur mblidhet populli në shesh dhe thotë “nuk të duam”, dhe atëherë qeveria detyrohet të largohet. Ose të paktën ti duhet të mbledhësh aq shumë njerëz sa të krijohet perceptimi se populli nuk është me qeverinë. Kjo është demonstrim force, dhe forca e opozitës është qytetari. Prania e qytetarit në shesh është mesazhi ndaj pushtetit. Që qytetari është me mua, jo me ty. Ky është qëllimi i protestës.
Po të dalësh aty e të mbledhësh pesë veta — pesë militantë, shumica funksionarë partie, deputetë ose njerëz me poste — dhe të pretendosh se me këtë do ta bësh Edi Ramën të dridhet dhe ta rrëzosh, e bën situatën qesharake.
Të thuash pastaj se nuk ka rëndësi numri, rëndësi ka që protestoj, rëndësi ka që flas, aq sa edhe emrin i kanë vënë “foltore”, është absurde. Pse i mungon opozitës një podium apo një medium ku të flasë? Opozita flet gjithë ditën. Madje Rama ka shkuar aq larg, sa nuk ka më nevojë as të flasë vetë. As nuk shkon në parlament, as nuk nxjerr deputetët në media, se s’ka nevojë të flasë. Sepse opozita flet kundër vetes, i bën autogola vetvetes, dhe këto janë sukseset e Ramës.
Dhe lind pyetja: pse i bëjnë këta autogolat? Pse i shërbejnë Ramës në këtë mënyrë? Pse organizojnë protesta që dëmtojnë më shumë opozitën se qeverinë? Këtu qëndron problemi.
Sipas meje, ka dy arsye për këto protesta. Ose ai ka frikë nga hetimet, nga SPAK-u, nga 21 janari, nga të gjitha çështjet për të cilat po hetohet dhe po kërkon të krijojë rrëmujë; ose, së dyti, po e bën për t’u dhënë gajret militantëve që prej muajsh kërkojnë protestë.
Shiko, militantët prej shtatë muajsh kërkojnë të mos njihen zgjedhjet dhe të protestohet për mbrojtjen e votës së lirë, siç ka thënë Berisha pas zgjedhjeve të fundit. Këta ende s’kanë bërë protestën e parë për votën e lirë dhe bëjnë protestë për mbylljen e fjalës në parlament.
Në logjikën e mënyrës se si po veprohet, dhe me të gjitha problemet që përmendi Saljani — dhe me shumë të tjera — është e vështirë të rekomandohet një opozitë sot me sistemet e krijuara.”



