Individët me një mutacion gjenetik që rrit rrezikun e demencës janë më të rrezikuar nga forma e rëndë e Covid-19. Studimi është më i fundit që sugjeron se gjenetika mund të luajë një rol në faktin se disa njerëz janë më të prekshëm ndaj koronavirusit sesa të tjerët, dhe mund të ndihmojnë në shpjegimin e asaj pse njerëzit me demencë janë prekur më rëndë: demenca është një nga çrregullimet më të zakonshme në mesin e atyre të cilët kanë vdekur nga Covid-19 në Angli dhe Uells.
"Nuk është vetëm mosha: ky është një shembull i një varianti specifik gjenesh që i bën disa njerëz më të prekshëm", thotë David Melzer, profesor i epidemiologjisë dhe shëndetit publik në Universitetin Exeter dhe bashkautor i studimit.
Studiuesit kanë analizuar të dhënat nga Biobank në Britani, një përpjekje kërkimore që ka mbledhur të dhëna gjenetike dhe shëndetësore mbi 500 000 vullnetarë të moshës midis 48 dhe 86 vjeç.
Ekipi u përqendrua në një gjen të quajtur ApoE - kjo krijon proteina të përfshira në bartjen e yndyrave përreth trupit, dhe mund të ekzistojnë në disa forma. Një variant i tillë, i quajtur "e4", dihet se ndikon në nivelin e kolesterolit dhe proceset e përfshira në inflamacion, si dhe rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe demencës.
Studiuesit zbuluan se 9 022 nga pothuajse 383 000 individë të studiuar kishin dy kopje të variantit e4, ndërsa më shumë se 223 000 kishin dy kopje të një varianti të quajtur "e3". Grupi i parë, shton ekipi, e kanë 14-fish më të lartë rrezikun e prekjes nga demenca.
Ekipi më pas shqyrtoi testet pozitive për Covid-19 midis 16 marsit dhe 26 prillit kur testimi për koronavirusin u krye kryesisht në spitale, duke sugjeruar se rastet ishin të rënda.
Rezultatet tregojnë se 37 persona që u testuan pozitivë për Covid-19 kishin dy kopje të variantit e4 të ApoE, ndërsa 401 kishin dy kopje të variantit e3. Pasi morën në konsideratë faktorë të ndryshëm, përfshirë moshën dhe seksin, ekipi i studiuesve tha se njerëzit me dy variante e4 ishin më shumë se dyfish të rrezikuar nga format e rënda të Covid-19 sesa ata me dy variante e3.



