Tre persona janë arrestuar në flagrancë në fshatin Rogam të qarkut Shkodër, në parcelën ku kishin kultivuar 1299 bimë narkotike dhe 1000 fidanë. “Blutë” bëjnë me dije se janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre 3 kryetarë fshatrash.
“Në territorin e njësisë administrative Kelmend, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 1726 bimë dhe 1000 fidanë të dyshuar narkotikë, të llojit Cannabis Sativa. Gjithashtu, nga ana e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, u kapën në flagrancë në parcelë shtetasit A. R., 35 vjeç, dhe K. R., 42 vjeç, banues në Njësinë Administrative Kastrat, të afërm me njëri-tjetrin. Ata u kapën në flagrancë pasi, në afërsi të banesave të tyre, kishin kultivuar 7 parcela me 1299 bimë dhe 1000 fidanë. Këta shtetas u arrestuan për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Gjithashtu, në afërsi të banesës së shtetasit K. R., u gjet një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Në territorin e njësive administrative Gur i Zi dhe Postribë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 2713 bimë të dyshuara narkotike, të llojit Cannabis Sativa.
Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Vilz, shtetasin F. L.; për kryetarin e fshatit Ura e Shtrenjtë, shtetasin R. M.; dhe për kryetarin e fshatit Domen, shtetasin R. B”.



