Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj ka bërë sot me dije pezullimin e inspektorëve të AKU-së dhe ngritjen e një komisioni nga UBT, ku do të vlerësohen aplikantët e ri. Vendimi i saj vjen pak kohë pasi kryeministri Edi Rama kërkoi që të pezullohej urgjentisht veprimtaria e AKU-së.
"Kam urdhëruar pezullimin e ushtrimit të aktivitetit të inspektimit pa planifikim paraprak dhe atyre të pamiratuara. Ky urdhër njëkohësisht ka në bazë edhe ngritjen e një komisioni të posaçëm me pesë anëtarë, unë këtu dua të falenderoj mbështetjen e Universitetit Bujqësor të Tiranës, i cili në përbërje të këtij komisioni do të ketë tre anëtarë dhe do të kryesohet nga profesor Iliri. Komisioni do të vlerësojë në formë të shkruar dhe me gojë inspektorët e AKU-së. Aplikantët e rinj, të cilët do t'i bashkohen kësaj trupe, do të jenë gjithashtu fokus i veprimtarisë së këtij komisioni për të sjellë në këtë institucion një frymë të re, një qasje të re dhe mbi të gjitha. një etikë të re. Ky proces do të ketë jo vetëm një analizë të gjithë masave dhe gjithë proceseve të shkuara, por dhe një testim dhe një vlerësim të potencialit tuaj individual në frymë të punës."



