Ukraina po punon me Byronë Federale të Hetimit të Shteteve të Bashkuara (FBI) dhe me kompanitë amerikane për të mbledhur të dhëna për krimet e mundshme të luftës të kryera nga rusët.
Ata po mbledhin informacione të telefonave dhe lokacioneve ku kanë ndodhur krimet e pretenduara, thanë zyrtarët e lartë.
Autoritetet ukrainase po mbledhin informacione digjitale nga fushëbetejat dhe qytetet ukrainase që janë goditur nga lufta që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës shkurtin e kaluar, tha Alex Kobzanets, agjent special i FBI-së, i cili më herët ka punuar si atashe ligjor i FBI-së në Ukrainë.
“Mbledhja e të dhënave, analizimi i tyre është diçka që FBI-ja ka eksperiencë”, tha Kobzanets gjatë një konference për sigurinë kibernetike të mbajtur në San Francisko.
Puna përfshin edhe analizimin e informacioneve të marra nga telefonat, analizat e forenzikës të AND-së, por edhe analizimin e pjesëve trupore të viktimave të marra nga fushëbetejat, tha ai.
“Hapi i radhës është puna me kompanitë amerikane që ofrojnë shërbime dhe transferimi i këtyre informacioneve… marrja e informacioneve për vendndodhjet”, shtoi ai.
Kjo punë shfaq thellimin e bashkëpunimit midis SHBA-së dhe Ukrainës në fushën e kibernetikës, ku Rusia konsiderohet kundërshtare për të dyja shtetet. Qeveria ruse nuk ka komentuar menjëherë për këtë çështje.



