Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë në një intervistë për "Info Magazine" të "Klan Kosovës", se arrestimi i Ramush Haradinajt është veprim flagrant i Serbisë, por shqetësues është fakti se gjithçka po ndodh brenda dijenive të Bashkimit Europian dhe këto institucione po heshtin.
“Dua të shpreh zërin tim kritik për BE-në. Këto veprime po ndodhin me dijeninë e plotë dhe nën heshtjen e autoriteteve të Bashkimit Europian. Pala kosovare nuk mund t’i vë kushte Serbisë, por të mbajë raport reciprociteti, ama BE-ja duhet të jetë e qartë", ka thënë Thaçi.
“Kjo nuk do të duhej të ndodhte. Kemi kërkuar nga Bashkimi Europian vazhdimit të ndërhyjë në heqjen e fletëarresteve. Kjo që i ka ndodhur Haradinajt është e panevojshme, qëllimkeqe dhe e dëmshme. Është veprim flagrant prej Serbisë. Serbia nuk ka juridiksion në Kosovë, dhe kjo çështje duhet të përmbyllet një herë e përgjithmonë. Serbia e ka humbur luftën dhe betejën politike për ta penguar Kosovën të jetë e pavarur. Krejt çka i ka mbetur, është të merret me krime të supozuara të luftës”, ka shtuar presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit në Kosovë ka kujtuar se ndalimi i Haradinajt nuk është i pari i këtij lloji.
Megjithatë, presidenti Thaçi ka thënë se nuk mund të ndalet dialogu me Serbinë, dhe e vetmja palë që mund të ndërhyjë është BE’ja, nga i cili kërkon që t’i tërheq vërejtjen Beogradit.



