“Shqipëria kishte një perceptim se hapja e negociatave do të ishte diçka e thjeshtë, por e kuptoi se me çfarë kishte të bënte në momentin kur në tryezë po diskutohej nëse negociatat do të hapen ose jo brenda vitit 2017”. Kështu është shprehur shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocias, në një intervistë për versionin grek të Huffington Post.
Kocias ka thënë se Këshilli i Europian do të miratojë tekst-rekomandimin për Shqipërinë më datë 12 dhjetor, por pa dhënë një datë të saktë për hapjen e negociatave.
Shefi i diplomacisë helene është shprehur se në bazë të burimeve që ka Ministria e Jashtme e Greqisë, Tirana do të marrë një lajm pozitiv për çeljen e bisedimeve, por nënvizoi se nuk do të ketë një datë fikse në lidhje me afatin kohor se kur mund të nisë ky proces.
Kocias ka ritheksuar se Shqipëria duhet të ketë parasysh edhe pesë kritere thelbësore, që janë: Fqinjësia e mirë, njohja e të drejtave të minoriteteve, respektimi i të drejtave të minoriteteve në zona ku ka patur problematika siç është Himara, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër trafikut të lëndëve narkotike.



