
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se ka urdhëruar shefin për ndihma në OKB, “të analizojë me palët e përfshira” mënyra për armëpushim humanitar në Ukrainë.
Ai ka thënë se një gjë e tillë duhet lejuar “për të mundësuar përparim në negociatat politike, që kanë për qëllim arritjen e marrëveshjeve për paqe”.
Një ndërprerje e armiqësive do të lejojë dërgimin e ndihmave thelbësore humanitare dhe do t'u mundësojë civilëve të lëvizin të sigurt. Do të shpëtojë jetë, do të parandalojë vuajtjet dhe do të mbrojë civilët. Shpresoj se një armëpushim do të ndihmojë gjithashtu në adresimin e pasojave globale të kësaj lufte, të cilat rrezikojnë të komplikojnë krizën e thellë të urisë në shumë vende në zhvillim, të cilave tashmë u mungon hapësira fiskale për të investuar në rimëkëmbjen e tyre nga pandemia, dhe tani përballen me kostot në rritje të ushqimit dhe energjisë.
Guterres tha se shpreson që Griffiths të jetë në gjendje të udhëtojë në Moskë dhe Kiev sa më shpejt të jetë e mundur për të filluar bisedat me palët e përfshira.
Sekretari i Përgjithshëm tha gjithashtu se tani ka më shumë se 1,000 personel të OKB-së që punojnë në Ukrainë, duke punuar në tetë qendra humanitare në Dnipro, Vinnytsia, Lviv, Uzhorod, Chernivitzi, Mukachevo, Luhansk dhe Donetsk.
“Zgjidhja e kësaj tragjedie humanitare nuk është humanitare. Është politike,” tha Guterres, duke u thënë gazetarëve më vonë se ai beson se lufta biologjike, kimike do dhe duhet të shmanget.



