Të paktën që nga janari, në Bergamo është raportuar për raste atipike të bronkopneumonive dhe pneumonive intersticiale. Kjo mund të provohet me një numër të madh radiografish të gjoksit, të rekomanduara nga mjekët me një frekuencë si "kurrë më parë". Në të vërtetë, që nga mesi i dhjetorit, pacientë të ndryshëm janë paraqitur në spitale me temperaturë jo normale, midis 37.5 dhe 40 gradë, kollë, humbje të nuhatjes dhe simptoma gastrointestinale.
Pietro Poidomani është mjek i përgjithshëm prej 35 vitesh në Cividate al Piano, një qytet i vogël me 5 mijë banorë në zonën e ulët të Bergamos, në kufirin me Breshian. Atje janë regjistruar "33 vdekje brenda një muaji, ndërsa norma e zakonshme nuk u kalon 50 në një vit", thotë mjeku.
A ishte ky shpërthimi i parë i koronavirusit, që mund të ketë ndodhur shumë përpara rasteve të para në Codogno-s? Doktor Poidomani tani po shërohet. Ai kujton se është zgjuar të hënën, më 2 mars “me një peshë të jashtëzakonshme në gjoks. Një dhimbje e fortë, pasi kisha disa ethe të shtunën”. Mjeku shkon në dhomën e urgjencës në Romano të Lombardisë: pas radiografisë, madje edhe para tamponit, ata vendosin ta izolojnë. Konstatimi është i qartë: Covid-19. Njëmbëdhjetë ditë shtrim në spital me trajtim me oksigjen dhe ilaçe (plaquenil dhe antiviral), për të dalë më pas nga spitali. "Ndoshta mund të më kishin mbajtur atje edhe për disa ditë të tjera, por u duheshin shtretër. Tani po trajtohem në shtëpi, jam më mirë”.
Ndërsa fliste me Avvenire, ai nuk mund të ndalonte kollën e thatë. Të njëjtën që kishte trajtuar vetë te 65 pacientë të tij në janar. “Të gjithë këta të moshuar erdhën me simptoma të komplikacioneve pas gripit: ethe dhe kollë e vazhdueshme. E çuditshme, sepse pothuajse të gjithë ishin vaksinuar. Kam folur për këtë me disa kolegë, të gjithë hasur të njëjtat probleme. Madje supozuam se vaksina nuk e kishte kryer funksionin”.
Jo vetëm Cividate, pra, por edhe vendet fqinje kanë pasur raste të tilla të pazakonta: Martinengo, Ghisalba, Palosco. Poidomani ka rekomanduar radiografi të gjoksit për të kuptuar pse kishin ndodhur këto simptoma. Në një numër absolutisht të pazakontë. "Midis fillimit të janarit dhe 21 shkurtit, në prag të rastit të parë Covid-19 në Codogno, kam pasur të paktën pesëdhjetë vizita, të gjitha për të njëjtën arsye. Dhe në 70-80% të rasteve raporti tregoi shpërthime të bronkopneumonisë ose pneumoni intersticiale". Mjeku nuk mund të mos bëjë pyetjen: "Si është e mundur që askush nuk e vuri re këtë numër të pazakonte radiografish të gjoksit? Autoritetet shëndetësore duhej të kishin ngritur njzë zile alarmi".
Ato ishin shenja të qarta, edhe sepse epidemia në Kinë ishte në kulmin e saj në atë kohë. Askush, megjithatë, nuk mendoi t’u bënte testin e tamponit atyre që kishin rezultuar me probleme të bronkeve.
“Avvenire” ia përcolli pyetjen e dr. Poidomani, Ndërmarrjes së Mbrojtjes së Shëndetit në provincën e Bergamos për informacione të mëtejshme mbi rastin. Vlen të përmendet se në fillim të vitit sinjale shqetësuese kishin ardhur edhe nga lugina e Serianas, e cila më vonë u bë epiqendra e infeksionit. I intervistuar ditët e fundit nga Mario Calabresi, një prift nga Nembro, Don Matteo Cella, tha: "Sipas mendimit tonë, ky virus ka qarkulluar që nga fillimi i vitit apo edhe që nga Krishtlindjet, pa u njohur. Azili Nembro ishte i pari që pati një numër të pazakontë rastesh: 20 njerëz vdiqën nga pneumonia në janar. Gjatë gjithë vitit 2019, aty kishte pasur vetëm 7 të vdekur”. Pse nuk u vunë re këto shenja? Të flasësh pasi gjërat kanë ndodhur është e lehtë, sepse pa diskutim virusi goditi fort dhe krejt papritmas në krahinën e thellë të Lombardisë, ku pritej më së paku.
Por sipas Guido Marinoni, president i Shoqatës së Mjekësisë në Bergamo, "ka një bindje të përhapur se në janar ka pasur më shumë pneumoni intersticionale sesa normale. Megjithatë, fenomeni nuk është zbuluar. Problemi është se vitet e fundit higjiena publike është harruar dhe janë lënë në harresë ato shërbime që na kishin lejuar të zhdukim shumë sëmundje infektive. Sot vëmendja është përqendruar vetëm në spitale, por parandalimi ka mangësi të theksuara. Është si diga e Vajontit. E bukur dhe e fortë. Sidoqoftë, rreziku i shembjes së malit u harrua. E njëjta gjë ndodhi në këtë rast: mali u shemb dhe masivi i dheut përfshiu gjithçka. Spitalet më të mira po e menaxhojnë, por ka pak mbikëqyrje të zonës”. Marinoni sqaron se ky ishte një nga faktorët që shkaktuan katastrofën e Bergamos, së bashku me atë që ndodhi në spitalin e Alzanos, mungesën e zonës së kuqe, mjekët që shkuan në vizita pa mbrojtje dhe mbyllja me vonesë e qendrave ditore të shtëpive për të moshuarit. Përfundimi është i hidhur. “Nuk e di nëse mund të bëhej më mirë. Sigurisht që është bërë gjithçka që nuk duhej të ishte bërë”. / Avvenire.it / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



