
Policia e Durrësit ka ndaluar një efektiv pasi akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Përmes një njoftimi zyrtar, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka bërë me dije se së bashku me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme në AMP dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kanë ndaluar në flagrancë oficerin e policisë, nën komisarin Ardit Xhafa. Ndalimi i këtij efektivi u bë pasi akuzohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”. Nga hetimet e kryera janë arritur të dokumentohen veprimet korruptive Xhafajt i cili duke keqpërdorur atributet që i jep detyra si oficer në Seksionin e Hetimit të Narkotikëve në DVP Durrës e duke shfrytëzuar pozicionin, ushtronte presion dhe mashtronte shtetasit, që shoqëroheshin me doza narkotike, kundrejt përfitimeve monetare. Njoftimi i plotë i AMP: Durrës – Ndalohet një tjetër oficer policie për korrupsion dhe shpërdorim detyre Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës – Kavajë) në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme në AMP dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka bërë ndalimin në flagrancë të oficerit të policisë N/komisar A.XH., 31 vjeç, në Seksionin e Hetimit të Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Ndalimi u krye në funksion të procedimit të regjistruar nga kjo Prokurori mbi dyshimet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”. Nga hetimet e kryera janë arritur të dokumentohen veprimet korruptive të oficerit A.XH., i cili duke keqpërdorur atributet që i jep detyra si oficer në Seksionin e Hetimit të Narkotikëve në DVP Durrës e duke shfrytëzuar pozicionin, ushtronte presion dhe mashtronte shtetasit, që shoqëroheshin me doza narkotike, kundrejt përfitimeve monetare. Hetimet vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundraligjshme. AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.



