
Dielli është “dembelosur”. Ylli që na garanton jetë është më pak aktiv dhe do ta ngrohë më pak Tokën në 50 vitet e ardhshme. Por ka gjasa që klima më e ftohtë të mos ketë ndikim në ngrohjen globale që ka prodhuar dhe vijon të prodhojë aktiviteti njerëzor. Ky është rezultati i një studimi të publikuar në “Astrophysical Journal”, i kryer nga një grup studiuesish të universitetit kalifornian në San Diego.
Ky ndryshim i aktivitetit diellor nuk është gjë tjetër veçse një “fazë minimale”, praktikisht një event periodik që shkaktohet nga zvogëlimi i fushës magnetike të Diellit. Për pasojë reduktohen rrezet ultravioletë që arrijnë në sipërfaqen e Tokës. Në Europë është vëzhguar një fenomen i tillë në gjysmën e shekullit XVII. Në atë kohë, lumi Tamiz në Londër dhe deti Balltik ngrinë.
Studiuesit kanë përllogaritur efektet që mund të ketë ky minimum i Diellit në klimën e planetit tonë në dekadat e ardhshme. Duke supozuar reduktimin e rrezatimit me 0,25% nga 2020-2070, ata llogaritin se temperatura mesatare mbi Tokë mund të bjerë me disa gradë.



