
Gjatë prezantimit të paketës së dytë të rezistencës sociale, e njohur ndryshe si antikrizë, Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk do ketë pagë nën 34 mijë lekë.
Kreu i qeverisë deklaroi se paketa është konceptuar si një mbështetje afatmesme, jo si një mbështetje e përkohshme, e shtrirë në tre muaj që do të thotë se kemi marrë në konsideratë faktin që kjo krizë është e një natyre të paparashikueshme për kur e ka fundin e saj dhe angazhimi është që t’u jepet njerëzve një mbështetje afatmesme, të qëndrueshme.
Do të rriten pagat për administratën, për Policinë e Shteti dhe për Policinë e Burgjeve. Paga minimale do të rritet në 34 mijë lekë. Do të indeksohen pensionet e invaliditetit me 7.5%.
Ndihma ekonomike rritet me 10%, dyfish ndihmë ekonomike për gratë kryefamiljare me dy fëmijë. Do indeksojmë me 6% pensionet, indeksimi i dytë brenda 2022. Për pensionet, indeksohen zakonisht 1 herë në vit, kjo ndodh në muajin prill.
Duke marrë parasysh edhe efektin e inflacionit janë indeksuar edhe këtë vit por për herë të parë do të riindeksohen. Do të riindeksohen të llogaritur me normën e inflacionit që shkon në 6% duke u nisur nga indeksimi i mëparshëm dhe në 9.5% si indeksim tërësor i këtij viti. Kjo do të ndodhë edhe për personat me aftësi të kufizuar që kemi indeksimin e përvitshëm.
Bëjmë ndërhyrje me indeksim 7.5% për të gjithë personat me aftësi të kufizuar. Do të rrisim me 10% ndihmën ekonomike dhe do ta dyfishojmë ndihmën ekonomike për gratë familjare me 2 fëmijë. Të gjitha gratë që janë në kushtet e papunësisë, do të marrin një ndihmë ekonomike të dyfishuar.
Rama deklaroi se jemi sot i vetmi vend në rajon dhe në Europë që ka marrë një vendim të prerë politik, për të mos prekur çmimin e energjisë për familjarët dhe bizneset e vogla, nëse ky është vendim ambicioz dhe kurajoz apo veprim i çmendur, këtë do e tregojë koha.
Ne vazhdojmë të besojmë se duhet ti mbrojmë konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla nga rritja e çmimit të energjisë. Kjo mbrojtje rezulton dhe arsyeja themelore pse ne kemi inflacionin më të ulët në rajon dhe se sa në të gjithë eurozonën, se nuk kemi rritur çmimin e energjisë që do të sillte në zinxhir, rritjen e të gjitha çmimeve të tjera.
Kemi mbi 90% konsumatorë familjarë që konsumojnë më pak se 800 kilovat dhe 7% të totalit që konsumojnë më shumë dhe bëhet fjalë për familjarë me vila, pishina dhe oborr dekorativ, për të cilët mendojmë se nuk mund të paguajë më buxheti i shtetit.
Çdo kilovat mbi 800 do të paguhet me çmimin e tregut. Me këtë synojmë të krijojmë një presion, për të ulur konsumin e tepërt të energjisë elektrike në kushte krize.
Ata të cilët vazhdojnë me këmbëngulje pa dashur të dëgjojnë, duke thënë se ne jemi ndryshe nga e gjithë bota, se ne e kemi energjinë dhe na vjen nga qielli dhe jo gazi rus...
Shqipëria edhe në vitin e vetë më të mirë sa i përket reshjeve, i cili nuk po na vjen prej katër vitesh, nuk e prodhon dot të tërë energjinë që i duhet, edhe kur hidrocentralet janë plot. Edhe në vitin më të mirë Shqipëria duhet të dalë në treg dhe të importojë dhe kur del në treg, detyrohet të paguajë me çmime marramendëse.



