Gazetarja Migena Bushati, e cila prej gjashtë vitesh jeton dhe punon në Norvegji, ndau për MCN Informacion përvojën e saj të emigrimit, ndryshimet mes medias shqiptare dhe asaj norvegjeze, si edhe jetën e re që ka ndërtuar në Oslo.
Bushati tregoi se vendimi për t'u larguar nga Shqipëria nuk ishte aspak i lehtë, pasi la pas një karrierë të konsoliduar në televizion dhe një jetë aktive shoqërore. Ajo tha se dashuria ishte arsyeja që e çoi drejt Norvegjisë, ku sot ka krijuar familjen e saj.
Nuk ishte e lehtë të lija punën si gazetare në Shqipëri dhe të zhvendosesha këtu në Norvegji para gjashtë vitesh. Dashuria më solli në Oslo, por nuk ishte aspak e thjeshtë të lija familjen, punën si gazetare kulture në televizion dhe gjithë jetën shoqërore që kisha ndërtuar. Sot jam këtu me bashkëshortin dhe dy djemtë e mi të mrekullueshëm dhe mund të them se kam krijuar një realitet të ri, ku familja është prioriteti im kryesor.
Duke folur për median, gazetarja vuri në dukje se dallimet mes Shqipërisë dhe Norvegjisë janë të dukshme, veçanërisht sa i përket pavarësisë editoriale dhe ndikimit të pronarëve të mediave.
Ka ndryshime të mëdha mes mediave shqiptare dhe atyre norvegjeze. Pronari i medias nuk është aq imponues dhe nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi gazetarin. Gazetarët janë më të pavarur dhe media është vërtet e lirë. Fjala është shumë më e lirë se në Shqipëri dhe kjo ndihet çdo ditë në mënyrën se si ushtrohet profesioni. Aktualisht punoj për një kompani norvegjeze, por media mbetet pasioni im dhe të tërheq gjithmonë, megjithëse sot i shoh ndryshe oraret e gjata të punës që kam pasur dikur, sepse familja është mbi gjithçka.
Bushati u ndal edhe te jeta në Norvegji, duke vlerësuar karakterin e qytetarëve vendas dhe rëndësinë që ka komuniteti shqiptar përmes medias në gjuhën shqipe.
Nuk e mendoja kurrë se do të gjeja një radio ku flitej shqip në Norvegji. Norvegjia ka shumë anë pozitive, njerëzit janë të qetë dhe nuk kërkojnë vazhdimisht vëmendje. Radio Rilindja është një ndihmë shumë e madhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë këtu, sepse i mban pranë gjuhës, kulturës dhe informimit në shqip.



