Peshkopët belgë kanë publikuar për herë të parë një liturgji për bekimin e çifteve homoseksuale. Kjo është hera e parë që një bekim specifik “kodifikohet” nga një grup peshkopësh. Bëhet fjalë për peshkopët holandishtfolës, të drejtuar nga kardinali Jozef De Kesel.
Kjo është një iniciativë në kundërshtim me Vatikanin, i cili nuk parashikon liturgji për bekimin e çifteve homoseksuale, por "duhet të bëhet qartë dallimi se çfarë nënkupton kisha me martesë të bekuar", domethënë një lidhje e përhershme midis një burri dhe një gruaje, sqarojnë peshkopët flamandë.
Prandaj, bekimi nuk ka "dinjitetin" e një sakramenti të vërtetë (siç është martesa midis një burri dhe një gruaje), por gjithsesi përfaqëson një hap përpara. "Shpesh çiftet homoseksuale na kërkojnë gjatë takimeve baritore për një moment lutjeje për t'i kërkuar Zotit që të bekojë dhe përjetësojë këtë angazhim dashurie dhe besnikërie", thotë Kesel.
Vatikani deri më tani është deklaruar kundër çdo lloj "legjitimimi fetar" të bashkimeve homoseksuale. Më 15 mars 2021, Kongregacioni për Doktrinën e Besimit lëshoi një notë të miratuar nga Papa Françesku sipas të cilës "nuk lejohet t'u jepet bekim marrëdhënieve, apo edhe partneriteteve të qëndrueshme, të cilat përfshijnë praktika seksuale jashtë martesës (d.m.th. le të themi, përveç bashkimit të pazgjidhshëm të një burri dhe një gruaje), siç është rasti me bashkimet midis personave të të njëjtit seks".



