Tradicionalisht, adoleshentëve në shumë kultura pak informacion u është dhënë për çështjet seksuale, të cilat janë parë si tabu. Një udhëzim i tillë u është lënë prindërve të fëmijës, dhe shpesh kjo është shtyrë deri pak para martesës së fëmijës. Lëvizja progresive arsimore e fundit të shekullit XIX, megjithatë, dërgoi në futjen e"higjienës sociale" në kurrikulat shkollore të Amerikës Veriore dhe ardhjen e edukimit seksual të bazuar në shkollë. Pavarësisht nga hyrjet e hershme të edukimit seksual të bazuar në shkollë, shumica e informacioneve për çështje seksuale në mesin e shekullit XX u morën në mënyrë joformale nga miqtë dhe mediat, dhe shumica e këtyre informacioneve ishin të mangëta ose me vlerë të dyshimtë, veçanërisht gjatë periudhës pas pubertetit, kur kureshtja për çështjet seksuale ishte më e theksuar. Kjo mangësi u ndie më shumë nga rritja e incidenteve të shtatzënive gjatë adoleshencës, veçanërisht në vendet perëndimore pas viteve 1960. Si pjesë e përpjekjeve të secilit vend për të zvogëluar shtatzënitë, u prezantuan programet e edukimit seksual. Po sot a kanë informacion adoleshentët se nga se rrezikohen nëse ekspozohen në marrëdhënie seksuale të pambrojtura. Mimoza Keta në një intervistë për TvT.al thekson domosdoshmërinë e edukatës seksuale në familje dhe shkolla.
A ka ardhur rritje numri i adoleshentëve që kryejnë marrëdhenie seksuale në moshë të hershme?
Po, është një konstatim i vërtetë, ka ardhur në rritje numri i adoleshentëve që kryejnë marrëdhënie seksuale në moshë të hershme. Dua të theksoj se kur vajzave u vijnë menstruacionet, është detyrë e nënave dhe e shkollës që t’i mësojë këto vajza për të ruajtur veten e tyre dhe shëndetin e tyre riprodhues. Në momentin e parë që vijnë mestruacionet, nëna me vajzën e saj përdore duhet të drejtohet tek një mjek gjinekolog, që t’i tregoj asaj se çfarë janë menstruacionet, çfarë ndodh në organizmin e saj dhe për t’i shpjeguar se si duhet të kujdeset.
Ka një moshë se kur i nisin marrëdhëniet seksuale të rinjtë sot?
Në moshën 14-15 vjeçare fillojnë marrëdhëniet seksuale, njerëzit mbase edhe mund të tremben nga kjo që dëgjojnë, por ka plot vajza të vogla të cilat kanë kryer raport seksual.
Nga çfarë rrezikohen këto vajza?
Ato nuk njohin rregullat e mbrojtjes nga një shtatzëni e padëshiruar, kështuqë bëhen në moshë shumë të vogël vajza nëna, ose shkojnë në abort, gjë që do t’i çojë në dëmtim të shëndetit të tyre riprodhues nga pasojat negative që shkakton aborti në këtë moshë të re. Gjithashtu, në vitet e fundit gjatë punës sime në klinikë, por edhe në maternitet kur kam punuar, kam konstatuar një rritje të numrit të lytheve gjenitale. Lythet gjenitale janë një infeksion, i cili shkaktohet nga një virus që quhet Human Papillomavirus, ky virus shkakton disa puçra të vogla dhe vajzat e reja që nuk i kuptojnë vijnë për vizitë pa e ditur se çfarë ka ndodhur me to, por ky virus mund të shkaktojë edhe kancer. Ndaj kontakti me një mjek gjinekolog është shumë i domosdoshëm.
Po infeksione të tjera shkaktohen?
Sigurisht, ka vajza të tjera që ankohen për sekrecione të trasha, të verdha dhe ankohen se u dhemb fundi i barkut. Këtu hyn analiza e testit të klamidias, që është një bakter që shkakton këto infeksione që sjellin sekrecione të trasha, të verdha, dhimbje barku etj., infeksion i cili nëse nuk trajtohet në kohën e duhur ai prek edhe pjesën e sipërme të traktit riprodhues. Ndodh shpesh që vajza të reja nga raportet seksuale të pambrojtura vijnë dhe më thonë me vjen erë vetja, kam sekrecione, nuk e kuptojnë arsyen.
Vijnë vetëm apo të shoqëruara nga familjarë?
Zakonisht drejtohen vetëm ose me shoqe, më së shumti vijnë me shoqe, rrallë ndodh të vijnë me nënën. Unë mundohem t’i këshilloj të vijnë me prindër, por shpesh më thonë: mami nuk e di që unë kam kryer marrëdhenie seksuale.
Kanë ardhur duke u shtuar rastet kur drejtohen tek gjinekologu me nënën?
Po, ka raste të shtuara kur vijnë me prindërit, ka prindër që e dinë rëndësinë e vizitës gjinekologjike, sepse tani nuk është më tabu vizita te gjinekologu. Para viteve '90 mbaj mend që femrat nuk drejtoheshin për vizitë, duhet t’i kërkonim ne të vinin për vizitë.
Si mendoni se mund të shtohen këto raste, ku vetë prindërit i sjellin vajzat për vizitë, ose të rinjtë të flasin hapur me prindërit?
Unë do të kisha rekomanduar që jo vetëm familja, por edhe shkolla të bëjnë një punë të madhe në lidhje me edukimin seksual, edukata seksuale bëhet në shkolla, por mbase nuk i kushtohet vëmendja e duhur. Mua më ka rastisur të shkoj në shkolla për orë të hapura dhe për të bindur të rinjtë se sa i rëndësishëm është përdorimi i kondomit, sepse ruajnë veten nga shtatzënitë e padëshiruara dhe infeksione të ndryshme seksualisht të transmetueshme. Kur flisja për këto tema të gjithë ulnin kokën dhe qeshnin nën zë. Kur unë i thoja më pyesni, asnjëri nuk më pyeste. Në këto raste shkolla nuk ka bërë punën e duhur në lidhje me edukatën seksuale. Duhet t’u shpjegojnë nxënësve që në klasë të 8 ose 9 se sa e rëndësishme është të kryhen marrëdhënie seksuale të mbrojtuara, si për femrat edhe për meshkujt.
Kur është mosha e duhur për të nisur jetën seksuale?
Për mendimin tim mosha më e mirë për një jetë seksuale është pas moshës 18-vjeçare, kur janë të përgjegjshëm për veten. Gjithashtu, shumë e rëndësishme është që raportet seksuale të kryen me ata njerëz që ata duan dhe ndjejnë diçka./TvT.al/



