Gazetari Arsen Rusta bën me dije se masa e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj kreut të PD-së së Rithemelimit Sali Berisha, që pritet të jepet sot nga GJKKO, do të ekzekutohet në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti”.
Ai thotë se funksionarët e opozitës kanë përgatitur një strategji komunikimi që do të shihet në ditët e para të janarit.
Në një raportim për MCN Live Rusta thotë:
Është adresa ‘Mustafa Matohiti’ aty ku do të ekzekutohet masa e sigurisë. Është kompetencë e Komisariatit Nr.1, ku do të duhet të vendosë edhe një polic tek dera dhe më pas të monitorohet nëse do ketë komunikime me persona të tjerë apo hyrje-dalje. Por ka edhe një moment që do duhet të sqarohet për shkak edhe të pozicionit që ka pasur Berisha si ish-president, si ish-kryeministër, deputet, ai ka masa shtesë sigurie, truproja, dhe efektivë të gardës, dhe do duhet të komunikohet edhe me gardën e policinë se si do jetë ruajtja e tij fizike. Në rast se nuk do zbatohet edhe ky vendim i dytë i gjykatës, ka një tjetër hapësirë ligjore, ku SPAK nuk do duhet t’i drejtohet më Parlamentit pasi e ka marrë dritën jeshile për të dyja masat. Kalohet në një tjetër masë në ‘arrest me burg’, ku policia do të duhet ta arrestojë forcërisht z.Berishën dhe për 48 orë të dalë para gjykatës. Mosha e ndalon ‘arrestin me burg’ për moshën mbi 70 vjeç, vetëm kur ka krime që dënohen mbi 10 vite, kundër jetës, apo gjenocid.
Mbetet ta shohim si do shprehet gjykata, nëse do thotë që i ndalohet komunikimi në rrjetet sociale. Funksionarët e opozitës kanë përgatitur një strategji komunikimi që do të shtrihet në ditët e para të janarit”.



