
Pas takimit një ditë më parë me kryeministrin Edi Rama, ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth është takuar me ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.
Pas diskutimeve kokë më kokë dy ministrat dolën në një konferencë për mediat. Bushati tha se në fokus të bisedës ishin hapat që duhet të ndërmarrë Shqipëria në procesin e integrimit. Ai tha se Gjermania është kritike e rreptë, por edhe partnere sa i përket procesit të anëtarësimit.
“Siç mund ta merrni me mend fokusi i bisedës ishte për hapat që duhet të ndërmarrim për hapat në procesin e integrimit. Qoftë për rekomandimin pozitiv për anëtarësimin si dhe për reformat e ndërmarrim. Gjermania është kritike e rreptë, por edhe partnere sa i përket procesit të anëtarësimit. Besojmë në mbështetjen e Gjermanisë”, tha Bushati.
Ministri Bushati gjatë fjalës së tij, theksoi se besojmë fuqimisht në mbështetjen e Gjermanisë në procesin e vështirë që është para nesh për nisjen e bisedimeve me BE.
Nga ana e tij ministri Roth ka theksuar se rruga drejt BE eshte e veshtire, por eshte rruga e duhur.
"Vendi juaj përfaqësohet në mënyrë të shkëlqyer nga Ditmir Bushati. Rruga e Shqipërisë drejt BE është e vështirë por ia vlen. Këtu në plan të parë janë forcimi i shtetit ligjor, sistemi i drejtësisë. Fokusi i bisedimeve kanë qenë problematikat që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, kriminalitetit. Ne kemi ende pritshmëri. Qeveria federale po verifikon të gjitha arritjet dhe në bashkëpunim me Bundestagun do pozicionohemi në të ardhmen", deklaroi Michael Roth gjatë një takimi me shefin e diplomacisë shqiptare.
Por Roth nuk la pa përmendur edhe opozitën kur tha se pres prej qeverisë që të vijojë politikën e reformave, por pres edhe prej opozitës të ndërmarrë përgjegjësi për të kontribuar në këto procese.



