Kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori, njëherazi kandidat për kryeqytetin në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV tha se nuk mund të ketë kandidat të pavarur për Bashkinë Tiranë që mbështetet nga Sali Berisha. Qori tha se Lëvizja Bashkë nuk do të bashkëpunojë me partitë e vjetra dhe të korruptuara, dhe me partitë e reja që kanë dalë nga barku i tyre.
"Mua më ka vendosur si kandidat Këshilli Koordinues i Lëvizjes Bashkë. E kam pranuar për disa arsye: E para e konsideroj si detyrë politike timen që të përballem me çfarëdo vështirësie, dhe të marr çfarëdo përgjegjësie për ta çuar përpara Lëvizjen Bashkë. E dyta sepse gjatë gjithë këtyre muajve kam pasur inkurajimin e shumë qytetarëve të Tiranës. E treta sepse unë mendoj që Lëvizja Bashkë duke kandiduar kryetarin e saj për Bashkinë e Tiranës, tregojmë seriozitetin tonë dhe u tregojmë qytetarëve të Tiranës sa e rëndësishme është kjo garë për ne.
Unë s’kam pasur asnjë lloj kontakti dhe komunikime private me politikanë të tjerë në Shqipëri. Ato që mund t’i quani ftesa janë deklarata televizive të një ose dy përfaqësuesve të PD. Unë kam përsëritur për të njëmijtën herë që ne s’duam të kemi të bëjmë me partitë e vjetra dhe të korruptuara në Shqipëri, as me PS, as me PD, apo ato parti që kanë dalë prej barkut të këtyre partive, ku të gjitha bashkë u shërbejnë oligarkisë ekonomike dhe interesave të mbrapshta në shoqërinë tonë.
Nuk mund të ketë kandidat të pavarur në Bashkinë e Tiranës që mbështetet nga Berisha apo Rama, është nonsens. Në momentin që Rama-Berisha bëjnë thirrje votoni këtë kandidat, ai s’është më i pavarur, por ai është politik. Ne mund të marrim mbështetjen e qytetarëve në mënyrë transversale. Mund të marrim përveç votave që më herët kanë kërkuar një parti të re, edhe të shumë qytetarëve që dita ditës zhgënjehen nga partitë e vjetra. Pozicioni që Lëvizja Bashkë do mbajë, është edhe nga pikëpamja strategjike, përveç se morale, pozicioni më i mirë".



