
Deri në fund të këtij muaji partitë duhet të kenë depozituar kërkesën në KQZ për t’u regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. PD dhe PS e kanë depozituar kërkesat e tyre, ndërsa LSI ende. Lidhur me këtë çështje deputetja e LSI-së Silva Caka në studion e lajmeve në MCN TV deklaroi se për regjistrimin e subjektit të tyre ligjor dhe kandidatëve do të respektojnë afatet.
Sa i përket mundësisë për koalicion me grupin e rithemelimit, Caka tha se aktualisht nuk ka një kërkesë të tillë por siç ajo u shpreh se LSI nuk ka asnjë kundërshtim apo problem nga koalicionet duke marrë parasysh edhe situatën në të cilën ndodhet opozita.
Regjistrimi i LSI-së është çështje afatesh ligjore si subjekt ligjor. Do vazhdojmë të respektojmë afatet për regjistrim të subjekteve dhe kandidatëve për bashkinë zgjedhjet e dekretuar tashmë nga Presidenti. Anëtarët e LSI nuk kanë ndonjë kundërshtim me koalicionet në përgjithësi dhe sidomos në një situatë si kjo ku praktikisht i vetmi ishull i pa marrë nga PS ishte federata e futbollit. Kemi një situatë ku e vetmja opozitë ka mbetur LSI, kështu që ne nuk kemi ndonjë problem për koalicionet. Megjithatë kjo është një çështje që nuk është hedhur në diskutim me anëtarët e LSI. Ky proces nuk ka ardhur ende dhe nuk mund të flas. Për aq kohë sa nuk kam informacionin nuk mund të them se në cilën fazë janë dhe a ka pasur diskutime. Është situatë e pazakontë nga zhvillimet e fundit por e rëndësishme është që qoftë LSI, apo grupi rithemelimit apo aletatët e tjerë opozitar, në radhë të parë si qytetar mendoj se duhet të zgjedhim kandidatura që janë opozitare dhe jo kandidatë të sponsorizuar nga Edi Rama.



