
Një "listë e zezë" në kufi dhe kufizimi i daljes jashtë shtetit për protestuesit janë masat e reja të prezantuara nga kryeministri Edi Rama.
Lidhur me këtë vendim, avokati Kujtim Cakrani, në një analizë për "MCN Live", deklaroi se Rama ka kopjuar planin e masave të kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe theksoi se mbi penalitetet financiare duhet të vendosë vetëm gjykata.
Po bën Rama plan masash, se më kujtohet si plani i masave të Hitleri në 1933-shin që bëri dhe ai. Po historia përsëritet, si plan i masave të Hitlerit në '33 kur erdhi në pushtet, për Zotin nuk kam asnjë lloj ndryshimi.
Drafti është marrë drejtpërdrejt nga Italia, por pa marrë parasysh kontekstin krejtësisht të ndryshëm social dhe politik mes dy vendeve
Ky ka marrë planin e masave të Giorgia Melonit. Nëse do të futeni të shikoni pikat, janë të njëjta, edhe ajo ndalon hyrjen e këtyre protestuesve në disa zona të caktuara.
Ky ka marrë modelin e Melonit dhe e ka implementuar këtu, por ka një ndryshim të madh, sepse Meloni apo Macron apo kudo tjetër në Evropë nuk protestohet si shqiptarët.
Atje protestojnë me flamuj të Palestinës dhe ata janë emigrantë. Ndërsa shqiptarët janë këtu të Shqipërisë, që kërkojnë të drejtat e tyre që kryeministri këto 14 vite në axhendën e tij politike nuk i ka përmbushur.
Cakrani ka adresuar kritika edhe për parimin e përgjegjësisë penale apo administrative që synohet të vendoset, duke e quajtur standard të dyfishtë në krahasim me mënyrën se si kryeministri sillet me korrupsionin në kabinetin e tij.
Ai tani thotë 'unë do t'ju penalizoj kush shkon në protestë'. Po ishe afër një protestuesi të dhunshëm, do mbash edhe përgjegjësi. Sikur ti mos të bësh gjë, thotë 'unë do të penalizoj ty'.
Që i bie, kryeministri qëndron pranë të korruptuarve dhe thotë 'unë s'mbaj përgjegjësi se hanë dardha pas shpine', ndërsa këta të tjerët duhet të mbajnë përgjegjësi sepse ai shoku, kushëriri apo vëllai i tij mund të ketë goditur policë me gurë.
Avokati sqaroi se gjobat nuk mund të kthehen automatikisht në tituj ekzekutivë pa kaluar në filtrin e sistemit të drejtësisë.
Gjobat nuk mund të vendosen apriori. Ti duhet ta çosh në gjykatë, ta faktojë gjykata.
Po ai e bën titull ekzekutiv dhe ti po nuk e çove në gjykatë, nuk të pi ujë gjoba.
Ajo do kalojë në parlament me akt normativ, 45 ditë, edhe pastaj çohet në Gjykatë Kushtetuese. Ndalimi i daljes jashtë vendit është i paligjshëm, ta garanton lirinë Kushtetuta.



