
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka pranuar se janë bërë gabime dhe hapa të gabuar, por ka theksuar se është reflektuar dhe korrigjuar. Kryedemokrati deklaroi se PD nuk do të vijë kurrë në pushtet mbi kufoma. Sipas kreut të opozitës, demokratët nuk e duan pushtetin duke shkaktuar drama dhe kosto shoqërore. Basha bëri thirrje se sa më parë të largohet nga pushteti Edi Rama aq më mirë do jetë për Shqipërinë.
"Partia Demokratike mbështet dhe nxit çdo lloj proteste për mbrojtjen e të drejtave, lirive të njerëzve dhe për mbajtjen e qeverisë përgjegjëse. Është absolutisht detyrimi ynë t’i përkrahim, mbështesim dhe madje t’i prijmë këto protesta atëhere kur është e mundur. Këtë ne e kemi bërë dhe do ta bëjmë kundër keqeverisjes, krimin dhe korrupsionin. Por PD nuk do të vijë kurrë në pushtet mbi kufoma. PD nuk do të vijë kurrë në pushtet me mjet tjetër përveçse me zgjedhje. Demokratët nuk e duan pushtetin duke shkaktuar drama dhe kosto shoqërore, duke nxitur përçarjen e përplasje mes shqiptarësh. Jeta dhe mirëqenia e çdo shqiptari është më e shtrenjtë se çdo karrike e tepsi. Ne nuk jemi burravecë që t’i përdorin shqiptarët e ndershëm e të pafajshëm si mish për top për të ardhur në pushtet. Kurajo është të punosh për ditë, çdo ditë, për të kërkuar llogari, drejtësi e ndryshim, për të bindur njerëzit për këtë ndryshim. Dua ta them edhe një herë siç e kam thënë me mijëra herë: sa më parë të largohet nga pushteti Edi Rama aq më mirë do jetë për Shqipërinë. Sa më larg të jetë dita e largimit të tij, aq më zi do të jetë për Shqipërinë. Me Edi Ramen nuk ka zhvillim, nuk ka mireqenie, nuk ka shtet, nuk ka Shqiperi!", deklaroi Basha.
Nga foltorja e Kuvendit të PD, Basha deklaroi se Shqipëria nuk ka nevojë të ndërrojë Edi Ramën me Lulzim Bashën. Shqipëria ka nevojë në rradhë të parë të ndryshojë mentalitetin e qeverisjes: shërbim ndaj interesit publik ne vend te grabitjes për pasurim vetjak.
"Shqipëria nuk ka nevojë të ndërrojë Edi Ramën me Lulzim Bashën. Shqipëria ka nevojë në rradhë të parë të ndryshojë mentalitetin e qeverisjes: shërbim ndaj interesit publik ne vend te grabitjes për pasurim vetjak. Sot beteja jonë duhet jo thjesht për të larguar Edi Ramën dhe regjimin e tij shkatërrues nga pushteti, por për të zhdukur bashkë me të edhe këtë sistem të ndryshkur në qeverisje, në politikë dhe në ekonomi. Kjo gjë nuk arrihet me dhunë, por me mjete demokratike. Kjo gjë nuk arrihet me forcë, por me votë. Detyra kryesore e opozitës mbetet hartimi i një alternative të besueshme qeverisëse. Programi ynë qeverisës do të synojë në rradhë të parë ndryshimin e kursit të vendit dhe reformat e mëdha institucionale dhe strukturore", vazhdoi Basha më tej.
Sipas kryedemokratit, programi qeverisës do të synojë ndaljen e thellimit të krizës së vendit dhe zhdukjen e kushteve që kanë çuar në kriminalizimin e vendit, korrupsionin epidemik, autokracinë e vazhdueshme dhe ekonominë e mjeruar.
Kreu demokrat, Lulzim Basha vijoi me akuzat ndaj kundërshtarit të tij Edi Rama, duke thënë se ka financuar një makinacion gjigand propagande kundër PD-së. E për të manipuluar, Basha thotë se ka financuar një makinacion gjigand propagande kundër PD-së dhe zërit kritik pasi, janë përfshirë një ushtri e mercenarë të përçarjes.
Basha i bëri thirrje sidomos rinisë që aspiron vlerat europiane që të bëhet pjesë e Partisë Demokratike, të bëhet pjesë e forcës së vetme vërtet demokratike dhe europiane në Shqipëri. "Në të do të keni rrugën e hapur jo vetëm për një karrierë të ndershme dhe të lirë politike Por mbi të gjitha për t’u bërë pjesë e përpjekjeve për një Shqipëri europiane”, u shpreh Basha.



