Vera e nxehtë dhe tharja e liqenit kanë ulur ndjeshëm vizitueshmërinë e parkut natyror të Viroit, një ndër pikat turistike më të frekuentuara si nga banorët e zonës së Gjirokastrës ashtu edhe nga grupet turistike. Ky është një fenomen natyror që përsëritet çdo verë.
Pavarësisht premtimeve për ujë 12 muaj viti nga ana e kryebashkiakut të Gjirokastrës sërish ka ndodhur tharja e liqenit. Një situatë e tillë sjell ndikime në mjedis dhe në ekosistemin natyror.
Pika turistike e Viroit ndodhet 3 kilometër në veriperëndim të qytetit të Gjirokastrës, anës rrugës kombëtare Tepelenë-Gjirokastër. Një liqen natyror me sipërfaqe ujore prej 17.5 ha dhe një sipërfaqe rrethuese e pyllëzuar.
Në parkun natyror të Viroit evidentohen rreth 250 specie bimore dhe 72 specie shtazore që gjallojnë. Në këtë zonë ndërthuret më së miri peizazhi liqenor, pylli e gjelbërimi kodrinor e malor.



