Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi sërish qeverinë për bashkëpunim me krimin dhe favorizim të kultivimit dhe trafikimit të drogës, për t’i përdorur të ardhurat për fitoren e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Në një dalje para mediave sot në drekë, Basha tha se aleatët e PD-së sa vijnë dhe shtohen, duke përmendur edhe “faktorë brenda PS-së”.
“PD dhe unë si kryetar i saj së bashku me një aleancë vlerash që sa vjen e shtohet madje edhe me faktorë brenda vetë PS-së, që t’u japim shqiptarëve mundësinë që përmes zgjedhjeve të ndershme të nxjerrim vendin nga droga, krimi. Nuk jemi këtu për emra të përveçëm apo faktorë politikë që pohojnë çdo gjë që pohon çdo shqiptar i ndershëm se me Edi Ramën vendi nuk mund të shohë ditë të bardhë”, tha Basha.
Në lidhje me mundësinë e një bashkëpunimi me LSI-në për zgjedhjet e vitit 2017, Basha tha se PD-ja mbetet e hapur për të gjithë ata që janë kundër krimit, drogës dhe manipulimit të votës.
“Në një betejë ekzistenciale me krimin e veshur me pushtet, për një qëllim madhor si zgjedhjet e ndershme është i thirrur kushdo që nuk është pjesë e krimit, drogës dhe vullnetit për të prishur zgjedhjet. Ky është kufiri që ndan bardh e zi dy lloj forcash politike. Kush e konsideron veten pjesë e krimit që ka synim të prishë zgjedhjet, është në anën e kundërt të shumicës së qytetarëve”, tha ai.



