Sot nis muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit.
Në kuadër të kësaj dite, kryeministri Edi Rama u është drejtuar me një thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të marrin fare pak kohë për t’u kujdesur për veten, duke bërë mamografinë.
Ai thekson mundësinë e kryerjes së mamografisë falas në poliklinikat dhe spitalet rajonale në të gjithë vendin, si pjesë e kësaj nisme për parandalimin e kancerit të gjirit.
Dhe me thirrjen e përvitshme në çdo TetorRozë, për të gjitha gratë dhe vajzat që të marrin fare pak kohë për t’u kujdesur për veten, duke bërë mamografinë falas në rrjetin e poliklinikave dhe spitaleve rajonale në vend, ju uroj një ditë të mbarë.
Gjatë këtij muaji, organizohen fushata për të inkurajuar gratë që të kryejnë kontrolle të rregullta, si mamografia, që ndihmojnë në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Simboli kryesor i kësaj fushate është shiriti rozë, i cili përfaqëson mbështetjen dhe solidaritetin me të prekurat nga kjo sëmundje, si dhe angazhimin për parandalim dhe kujdes të vazhdueshëm shëndetësor.



