
Vaksina kundër virusit HPV është e sigurt, nuk shkakton efekte anësore të rënda dhe mbron ndaj kancerit të mitrës. Mitet e rreme që kanë qarkulluar shpesh mbi këtë vaksinë janë hedhur poshtë nga një grup i pavarur ndërkombëtar studiuesish.
Infeksionet e Human Papilloma Virus (HPV) janë të zakonshme. Ato nuk shfaqin simptoma, që do të thotë se shumica e femrave nuk e dinë se janë të infektuara. Ato transmetohen nëpërmjet kontaktit seksual dhe në shumicën e rasteve shërohen vetë. Por në disa raste, ato nuk mund të eliminohen dhe mund të çojnë kështu në zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës, të penisit, kancerit anal dhe atij oral. Prej vitesh, kompanitë farmaceutike kanë zhvilluar një vaksinë që duhet bërë para se një person të kryejë kontaktin e parë seksual.
P.sh. në Itali, kjo vaksinë bëhet në moshën 11-12 vjeç, para se adoleshentët të bëhen seksualisht aktivë.
Në funksion të studimit të fundit janë ekzaminuar 26 studime të mëparshme në të cilat janë përfshirë 73 mijë vajza dhe gra. Efektet e rënda anësore pas vaksinës kanë qenë të rralla dhe nuk ka pasur raste të tipit vdekje apo abort spontan.
Studiuesit thonë se ka prova për sigurinë e lartë që vaksinat HPV ofrojnë për mbrojtjen nga kanceri i qafës së mitrës te vajzat nga 15-26 vjeç.



