
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur daljen në një konferencë të përbashkët me ambasadorin e OSBE-së për t;iu përgjigjur deklaratës së presidentit Ilir Meta në lidhje me mundësinë e dekretimit të një date tjetër për zgjedhjet vendore, duke i dhënë kohë palëve për zgjidhjen e krizës. Rama tha se Kushtetuta nuk do t’u nënshtrohet axhendave partiake.
“Presidenti në këndvështrimin tim ka shprehur një gatishmëri për t’u vënë në dispozicion të një zgjidhjeje me pëlqimin e partive politike, sepse kështu e përcakton dhe Kushtetuta. PS nuk ka asnjë pëlqim lidhur me asnjë diskutim për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Kjo ka lidhje me qëndrimin tonë të prerë. Duhet të fitojë Shqipëria institucionale dhe kushtetuese, që nuk mund t’i nënshtrohet axhendave partiake”, tha ai.
Në lidhje me letrat dërguar kreut të opozitës për t’u ulur në një tryezë dialogu, Rama tha se pavarësisht ndikimit që mund të kenë ose jo te opozita, socialistët do ta nisin fushatën më 1 qershor.
"Letrat thonë nuk ka 6 pa 7. Nuk e di, por mbase do të ketë edhe një të 7. Por në 6 letrat që kanë qenë 6 ftesa të përditëshme, unë jam përpjekur të bëj me të mirën. Sa ia kam arritur nuk e di. Pak, por e sigurtë është që në 1 qershor PS do të fillojë fushatën për zgjedhjet e ardhshmë vendore të datës 30. Nuk bëhet fjalë se kush do të jetë kryetari i ri i Bashkisë, por për Shqipërinë e gjeneratës tjetër", tha ai.



