Policia e Elbasanit ka arritur të zbardhë ngjarjen e 17 shtatorit, ku u ekzekutua me disa plumba, Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës. Uniformat blu kanë shpallur në kërkim 37-vjeçarin Nuredin Dumani, i cili sipas autoriteteve, është personi që ka vrarë me armë zjarri Bujar Çelën.
Burimet policore bëjnë të ditur se zbardhja e vrasjes së Çelës erdhi pas hetimeve intensive 20-ditore, ku u zbulua dhe dokumentua me prova ligjore, përfshirja e Nuredin Dumanit në ngjarjen e ndodhur pranë rreth-rrotullimit të Bradasheshit, në Elbasan.
Ndërkohë, Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë "Arrest me burg", për 37-vjeçarin Nuredin Dumani, lindur në Dibër dhe banues në Durrës, për veprat penale "Vrasje me paramendim" e kryer në bashkëpunim dhe "Armëmbajte pa leje".
Sakaq, autoritetet po hetojnë edhe për idetifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Dumani ishte shpallur në kërkim më herët nga policia për vrasjen e dy vëllezërve Besmir e Viktor Haxhiaj, në Durrës. Ekzekutimin e dy vëllezërve Haxhiaj, Nuredin Dumani rezulton ta ketë kryer së bashku me vëllanë e Bujar Çelës, të shumëkërkuarin nga drejtësia, Talo Çelën.



