Pas takimit në presidencë, Përfaqësuesi Special i BE’së, Miroslav Lajcak, dhe presidenti Hashim Thaçi kanë folur në një konferencë për media.
Në vizitën e parë në Kosovë në kapacitetin e Përfaqësuesit Special të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi Emisari europian ka thënë se BE’ja ka qasje shumë serioze sa i përket Ballkanit dhe në veçanti dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Evropa është shumë serioze sa i përket rajonit dhe dialogut Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lajcak.
Ai ka thënë se synon arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate që zgjidh të gjitha mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Pres që dialogu të ketë përfundim të suksesshëm”, ka thënë Lajcak.
Ai ka thënë se takimi me presidentin Thaçi ka qenë shumë i frytshëm dhe konkret dhe se e ka njoftuar kreun e shtetit me detajet, planin dhe metodologjinë për vazhdimin e procesit të dialogut.
“Takimi me Thaçin ishte shumë konkret, e njoftova me planin, elementet dhe metodologjinë. Do të vazhdojmë komunikimin edhe me liderë tjerë dhe krerët e partive politike”, ka thënë sllovaku.
Sa i përket bashkëpunimit me SHBA’në, Lajcak ka thënë se Evropa gjithmonë ka punuar në bashkëpunim të ngushtë me Amerikën dhe ka thënë se shpreson që ky bashkëpunim të vazhdojë.
“Evropa ka punuar shumë ngushtë me Amerikën. Gjithçka që është arritur është bërë në bashkëpunim. Shpresojmë në një bashkëpunim shumë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Lajcak.
Edhe presidenti Thaçi ka thënë se është jetike për dialogun Kosovë-Serbi që të ketë një unifikim mes Washingtonit dhe Brukselit.
“Duhet të punojmë shumë ngusht me BE’në dhe SHBA’në. Kemi besim të palëkundur në SHBA’në. Përqafojmë vlerat evropiane. Duhet të jemi të vlerësuar nga BE’. I kam thënë edhe z.Lajcak se BE është vonuar sa i përket procesit liberalizimit të vizave. Është jetike për ne që BE dhe SHBA të kenë një bashkëpunim”, ka thënë Thaçi.
Lajçak në Prishtinë: Kam ardhur me data të sakta rreth rinisjes së negociatave Kosovë-Serbi
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak, ka arritur në Prishtinë. Përfaqësuesi Special i BE-së, ka thënë se në Prishtinë ka ardhur me data të sakta rreth rinisjes së negociatave por ka thënë se nuk do t’i bëjë publike meqë duhet koordinuar me liderët e institucioneve të Kosovës.
“I kam datat, por nuk mund t’i bëjë publike tani sepse duhet të koordinohem me partnerët dhe se nuk kemi kohë për të humbur”, ka thënë Lajçak para gazetarëve.
Lajçak po ashtu ka deklaruar se dialogu në Bruksel është i rëndësishëm ngase e ardhmja e Kosovës është në BE.
Diplomati sllovak ka shtuar se është në dijeni për takimin Kosovë - Serbi në Washington, më 27 qershor, porse sipas tij, më e rëndësishme për të, është fillimi i dialogut, ngase e ardhmja e Kosovës është evropiane.
Mbërritjen e Lajçak në Kosovë me data konkrete dhe për të caktuar modalitetet e dialogut e ka konfirmuar edhe Peter Stano, zëdhënës i BE-së.
“Ne i mirëpresim të gjitha iniciativat në përkrahje të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, pritet të jetë në Prishtinë këtë pasdite për të diskutuar modalitetet e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Përfaqësuesi Special i BE-së ka për qëllim të prezantojë datat konkrete për rikthim të shpejtë”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka pritur në takim përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, edhe përkundër mospajtimeve. Takimi ka qenë i mbyllur për medie.
Gjatë ditës kreu i shtetit ka thënë se ekipi i tij do të komunikojë me ekipin e përfaqësuesit special të BE-së, pasi të vijë në Prishtinë për një takim të mundshëm.
Thaçi theksoi se nëse Lajçak vjen vetëm për të hulumtuar terrenin, Kosova është duke hulumtuar tash e 20 vjet dhe vendi ka nevojë për hapa konkretë e jo për “ligjërata të pafundme”.
Më pas Lajçaku do të takohet me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Avdullah Hoti.
Lajçak arrin në Kosovë një ditë pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka njoftuar se përfaqësuesit e këtyre dy shteteve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.



