
Bankat kanë fshirë tashmë nga bilancet pjesën dërrmuese të kredive të parikuperueshme. Banka e Shqipërisë raporton se gjatë vitit të shkuar u fshi një total prej vetëm 2 miliardë lekësh kredi të humbura, një rënie drastike krahasuar me vitet e mëparëshme. Por pavarësisht kësaj, për debitorët nuk ndryshon asgjë. Në studion e MCN Economy, përmbaruesi Altin Latifi shpjegoi se shitja e kredive nuk i lehtëson kredimarrësit, të cilët duhet të paguajnë deri në qindarkën e fundit për të likujduar kredinë.
Ajo që ka ndodhur në Shqipëri nuk ishte gjetja e ristrukturimit. U gjet mënyra e re, shitja e kredive. Në këtë moment nisi problemi, por ndërkohë kredia nuk shuhet. Transformohet kreditori, por kredia mbetet. Nuk shuhet pa u likuiduar. Përmbarimi është organ ligjor, i mirërregulluar.
Në lidhje me kredidhënien, Latifi tha se bankat nuk kanë pasur të njëjtën qasje si ndaj kreditorëve të vegjël, si ndaj kompanive të mëdha që kanë marrë kredi. Këto të fundit janë favorizuar dhe shpesh u është dhënë kredi pa përmbushur kushtet.
I gjithë ky proces nis në 2013, kur BSH njoftoi një udhëzim mbi ristrukturimin e kredive, duke u dhënë të drejtë huadhënësve dhe huamarrësve të mos përplaseshin me procedura ligjore. Një udhëzim i BSH u jepte këtyre palëve mundësinë të gjenin mirëkuptim për shlyerjen e debisë.
BSH nxori edhe disa pika për kreditorët. Banka duhej të ishte e qartë, sa është principale, sa është kamatë vonesa, sa interesi etj., në mënyrë që huamarrësi të dinte sa do të paguante duke qenë i qartë për marrëdhënien ku po hynte.
Në momentin që lindi problematika, pjesa më e madhe e kredive të këqija ishin nga subjekte të mëdha, si p.sh. ARMO. Bankat nuk u treguan njësoj rigoroze me individë të thjeshtë me kompani të mëdha si këto.
Në ARMO kishte një kolateral, fabrika, dhe shumë banka ishin ekspozuar ndaj këtij subjekti. Kishte kohë që subjekti kishte krizë likuiditeti. Mbikëqyrja e shtetit nuk ka qenë e duhura. Në fund fare, kolaterali do të nxirrej në ankand nga përmbarimi. Ai kolateral nuk mjaftonte për të shlyer as bankën e parë. Mendoni vetë çfarë ndodhi me të tjerat, me pagat e punonjësve etj.
Kredidhënia është baza e ekonomisë, por kjo bënte që edhe bankat të ishin skrupuloze ndaj qytetarëve, duke u vendosur kushte të papranueshme.



