
Parlamenti Evropian votoi sot pro rekomandimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Gjatë seancës së sotme, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, tha se qytetarët e Kosovës e meritonin një vendim të tillë, por ky nuk është hapi i fundit për vizat.
Pas votimit në Parlamentin Evropian, liberalizimi i vizave kalon për votim në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së në Bruksel (COREPER).
Vetëm një javë pas votimit nga ky komitet, pritet që vendimi për liberalizimin e vizave për kosovarët të votohet përsëri nga Këshilli i Bashkimit Evropian, por tani në nivel të Ministrave të Brendshëm, që është edhe votimi përfundimtar.
Ky votim i hap dritën jeshile procesit, i cili finalizohet me nënshkrimin dhe publikimin e vendimit në Gazetën Zyrtare.
Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë qenë dy kushtet e vendosura nga BE-ja për liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë.
Më 18 korrik të këtij viti, Komisioni Evropian vendosi që Kosova i ka përmbushur kriteret dhe i rekomandoi Bashkimi Evropian të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.



