
Kryeministri Rama e ka cilësuar Teatrin Kombëtar, që u shemb të dielën e shkuar si fëmija “ilegal dhe bastard” i marrëdhënies mes autorit arkitekt italian dhe luftës fashiste.
Në seancën e sotme, Rama tha se ndërtesën nuk e ka njohur as vetë arkitekti italian dhe se për shkak të rrethanave të luftës projekti nuk përfundoi kurrë.
"Autori nuk e ka njohur kurrë si pjellën e vetë. Ai projekt filloi, siç duket por nuk mbaroi. Lufta filloi, tironsit me pus e me tarrac, e me mustaqe hijerënda, a e dinë që në kopshtet e Tiranës u mboll grurë.
Sepse në atë kohë rendi autartik nga regjimi që u vendos dhe na i la plagët, shkurtoi fondet për t’ia kaluar luftës. Dhe thjeshtoi pa pjesëmarrjen dhe lejen e autorëve të gjitha projektet e godinave. Dhe godina e projektit të Teatrit është fëmija bastard i një marrëdhënie mes autorit italian dhe autores që ishte lufta fashiste që duhej ushqyer me para dhe grurin në parqet e Tiranës", tha ai.
Rama tha se ata që mbrojnë Teatrin e vjetër, nuk i njeh askush, duke i etiketuar si aleanca për politikën me Teatrin.
“Kadri Roshi ju nënqesh me ata sytë e tij që shpojnë ajrin me mijëra kilometra. E ka lënë amanet ndërtimin e një teatri të ri”, tha ai duke iu drejtuar deputetëve të opozitës së re: “Kur them mos u shqetësoni se nuk e kam me ju, se ju nuk e dini, kjo është e sigurt. Ai u sëmur dhe humbi jetën”, tha ai.
Rama: Teatrin Kombëtar do ta ribëjmë për fëmijët
Rama tha se një version për fëmijët i Teatrit Kombëtar do të ndërtohet në një vend tjetër, bazuar mbi të njëjtin projekt. Ai tha se objekti i ri do të jetë në funksion të njohjes së historisë së Tiranës.
“Ka njerëz që më kanë bërë të reflektoj. Për një boshllëk apo lëndim. Dhe mbase i ka ardhur nga ajo që …Ne do e marrim projektin origjinal dhe do ua i kthejmë, jo Aleancës, jo artistëve politikanë dhe politikanëve artistë, por do ua rikthejmë fëmijëve si pjesë e një programi më të madh dhe do e kemi mes nesh. Jo aty. Për më shumë do e shikoni pelegrinazhin. Do shkojnë vetëm fëmijët dhe mësuesit e tyre për të mësuar konkurset, muzikën, artin. Për të mësuar çfarë ka qenë Tirana. Madje këta kur të marrin vesh se ka qenë në vend tjetër nuk kanë për të shkuar”, tha Rama.



