
Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë, 30-vjeçari Esmerald Balla, autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë të ndodhur më 13 gusht në Shënavlash të Durrësit, u shpreh i penduar për vrasjen e 62-vjeçarit Enver Balla.
Ai tha se është penduar, por që nuk ka kthim pas. Për arsyet e vrasjes, avokatja e tij i tha gjykatës se ka ndodhur në kushtet e tronditjes së thellë psikike.
Ndërkohë, prokurori i çështjes Pali Deçolli ka shpjeguar më me detaje mënyrën si ka ndodhur ngjarja, në bazë të deklarimeve të Esmerald Ballës dhe Edison Brahaj. Ky i fundit nën akuzën e bashkëpunëtorit në krim.
Mësohet se debatet kanë nisur teksa ata ndodheshin në fugonin e familjes, në të cilin ishte dhe Edisoni, i cili punonte në fermën e familjes Balla.
Esmerald Balla akuzohet se vrau babanë pas konflikteve të vazhdueshme, për një shumë prej 75 mijë eurosh në kasafortën e kursimeve që kishte humbur dhe të dy akuzonin njëri-tjetrin. Pas konfliktit, 30-vjeçari, sipas prokurorisë, qëlloi me pistoletë të atin. Më tej ai kërkoi ndihmën e Edison Brahaj, që punonte si bari në stan dhe e hodhën trupin në pusin aty pranë.
Ngjarja u denoncua fillimisht si humbje pa gjurmë e viktimës dhe largim të tij me një femër të panjohur, nga vetë djemtë, më 13 Gusht.
Esmeraldi u arrestua më 3 Shtator nga Policia, pasi dyshohej si autor i krimit në familje. Gjithçka ka nisur për 75 mijë eurot që familja kishte kursyer ndër vite nga puna kryesisht në blegtori dhe prej vitesh shisnin edhe qumësht në lagjet e Durrësit.
Këtë të shtunë, Gjykata e Durrësit caktoi masat e sigurisë “arrest me burg” për Esmerald Ballën dhe shokun e tij Edison Brahaj.



