
Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e Edmond Çekiçit në Durrës. Sipas të dhënave, në vendngjarje janë gjetur 24 gëzhoja automatiku të tipit AK47.
Policia gjatë natës ka shoqëruar rreth 30 persona, të cilët mendohet se mund të kenë informacion për këtë ngjarje.
Shoferi i automjetit ka deklaruar se nuk ka mundur të identifikojë autorët e krimit për shkak se kanë pasur kapuç në kokë.
Ai ka deklaruar gjithashtu se ka qenë i tronditur kur ka parë që mjeti që drejtonte të qëllohej me armë.
Policia ka sekuestruar një armë automatike AK47, e cila dyshohet të jetë blerë jashtë vendin për shkak se një armë e tillë nuk ekziston në regjistrat e shtetit shqiptar.
Hetuesit po analizojnë edhe automjetin nëse ai rezulton i vjedhur apo të jetë sjellë nga jashtë vendit posaçërisht për këtë ngjarje.
Edmond Koçi i njohur edhe si Mond Çekiçi u ekzekutua mëngjesin e së shtunës në qytetin e Durrësit, ndërsa ndodhej si pasagjer në një automjet i drejtuar nga shoku i tij. Ai ka qenë pjesëtar i ish-Bandës së Durrësit.
Mësohet se 5 ditë më parë Gjykata e Durrësit i kishte hequr masën e “arrestit shtëpiak” duke ia kthyer në “dënim me kusht”. Kushti ishte që Çekiçi të mos shoqërohet me persona të inkriminuar.



