Pedagogu Roland Bejko duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV tha që ka pak gjasa që Berishës t’i hiqet non grata nga SHBA me rikthimin në pushtet të Donald Trump-it. Bejko theksoi se edhe nëse kjo do të ndodhë, Berisha është shpallur non grata nga shumica e shqiptarëve, pasi i ka mbaruar koha politike.
“Po të jetë vetëm vullneti i një individi, momenti kur është shpallur Berisha non grata, edhe mund të ndodhë, përmes një lobimi. Por siç jemi informuar janë 11 institucione që i sitin mirë dosjen derisa ta çojnë për firmë te Presidenti. SHBA-të s’janë Shqipëria. S’janë bashki lokale, apo një qeveri që me dy lidhje oligarkësh dhe të fortësh i more leje kryeministrit. Atje funksionojnë institucionet, prandaj janë demokraci e konsoliduar. Por edhe po iu hoq non grata Berishës, ku rastet janë të rralla në botë, janë me gishtat e njerëz dorë, por edhe po iu hoq Berisha për hir të një karriere 34 vite pas rënies së komunizmit, e kanë shpallur non grata shqiptarët, shumica e shqiptarëve, sepse i mbaroi koha politike. Edhe po iu hoq non grata andej duhet të bëj një përpjekje shumë të madhe që t’i hiqet non grata nga shqiptarët”.
I pyetur nëse duhen fytyra të reja në PD, duke iu referuar deklaratave të Dashamir Shehit, Bejko tha:
“Faktorët anti-Ramë apo anti-qeveri që të bashkohen kërkojnë të kenë faktorë të besueshëm. Me një establishment që ka PD, Berisha dhe të tjerët, i ka shumë të konsumuar, shumë të vjetër. Një pjesë e mirë e kanë konsumuar kohën gjatë kohës që ka qenë PD në pushtet. Z.Shehi ka të drejtë kur thotë që PD duhet të çlirohet nga z.Berisha, të çlirohet nga ekipi i vjetër i z.Berisha, të ketë një program të besueshëm, dhe të ketë marrëdhënie të ndershme me ndërkombëtarët dhe drejtësinë. Patjetër që ka figura të reja, por s’u hapet rruga. Z.Berisha s’mendon për meritokracinë në PD, por mendon të mbajë njerëzit më besnikë”.
Bejko mendon se njeriu më i trembur nga drejtësia e re, përveç Berishës dhe Metës është Rama.



