Nga qyteti i Elbasanit ku është takuar me drejtuesit e lartë të Prokurorisë dhe Policisë në këtë qytet, kryeprokurori Olsian Çela e ka cilësuar si mjaft të rëndë situatën kriminale në këtë qytet. Çela tha se krimi në Elbasan është rritur ndjeshëm, dhe nuk bëhet fjalë për krimin e zakonshëm, por për aktivitetin e grupeve kriminale. “Qyteti i Elbasanit nuk mund të kthehet në skenë lufte mes bandave për kontrollin e territorit”, tha Çela.
Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme i bëri thirrje institucioneve të tjera në nivel qendror të përfshihen në luftën kundër krimit në këtë qytet, duke mos lejuar që Shqipëria të kthehet në Siçilinë e viteve 70’.
Kryeprokurori Çela ka paralajmëruar edhe për rrezikshmërinë e përfshirjes së bizneseve të ngritura nga grupet kriminale në përfitimin e parave publike.
Deklarata e Çelës:
“Niveli i krimit është në rritje, në qytetin e Elbasanit dhe nuk po bëhet fjalë për nivelin e krimit të zakonshëm por kemi të bëjmë me krimin e organizuar. Këto kërkojnë vëmendje të veçantë nga strukturat e shtetit, nuk mundet që një qytet të kthehet në skenë lufte mes bandave për kontrollin e territorit. Kjo është maja e ajsbergut të asaj çka po ndodh në qytetet e tjera të Shqipërisë. Niveli i bashkëpunimit me strukturat e shtetit të ngrihet në nivele të tjera. Ne nuk na mungon eksperienca. Të mbështesim Prokurorinë dhe Policinë e Elbasanit me të gjitha mjetet që ata do të kenë nevojë. Përgjigja për situatën që po ndodh në Elbasan nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi e Policisë dhe Porkurorisë në Elbasan, ka struktura të tjera në nivel qëndror që duhet të përfshihen, ashtu siç duhet të koordinohet puna me Prokurorinë e Posaçme. Ne po përballemi me një situatë aspak të zakonshme, të rinjtë e Elbasanit nuk mund të rekrutohen nga bandat. Nuk mund të jetë kjo prespektiva e tyre. Shqipëria nuk mund të kthehet në Siçilinë e viteve ’70.
Asnjë para nga fondet publike nuk duhet të shkojë në bizeset që kanë ngritur organizatat kriminale. Kjo është e patolerueshme. Çdo element i evazionit fiskal duhet të hetohet nga instituicionet e porsangritura. Çdo aset me origjinë të jashtëligjshme duhet të hetohet. Nëse nuk godasim asetet e krimit, nuk do të kemi sukses. Edhe veprimet e dhunshme në rrugët e qyetit, nga to mund të dalin lidhje me elementë të grupeve kriminale. Ka nevojë për një qasje strategjike, të ngrihet niveli i organizimit”.



