
Kundërshtimin e tij Imami e bëri të ditur për mediat, në përfundim të kësaj mbledhje, ku u shpreh se në propozimet që janë paraqitur për ndryshime statusore, nuk janë paraqitur disa rregullime të rëndësishme që duhet të ishin bërë.
"Ato për të cilat unë jam shprehur në mënyrë të posaçme është që Këshilli Kombëtar të marrë një autonomi duke zgjedhur një kryetar të tij për shkak se kryetari nuk e ka mbledhur në 5 vite Këshillin Kombëtar.
Së dyti, të ketë një Komision Zgjedhor në parti që të mos ketë më pretendime si ato që patëm në verën e shkuar për zgjedhjen e kryetarit. Nuk po them se janë plotësisht të vërteta, por edhe për ti mohuar nuk i mohoj dot.
E treta, duhet vendosur qartë dhe në mënyrë përfundimtare se sa palë zgjedhje do të humbë një kryetar që të largohet nga kjo parti. Kjo nuk është çështje vetëm statutore, ky është një problem politik. Nëse kryetari i partisë do ti fshihet përgjegjësisë politike në humbje të njëpasnjëshme të zgjedhjeve, atëherë askush nuk do ta ndjekë më kryetarin, partinë dhe të gjithë ne.
Nëse nuk merr përsipër që në mënyrë statutore, meqenëse në mënyrë etike dhe të traditës sonë politike nuk e respektoi, të paktën të bëhet një deklarim statutor në mënyrë që njerëzit të kuptojnë që me të vërtetë kryetari i partisë dhe partia do ti fitojë zgjedhjet në mënyrë që në zgjedhjet e pritshme ne të mund të ecim përpara përndryshe unë nuk mund të shkoj mirë në këtë parti", tha ai.
Sipas Imamit, për kryetarin e partisë, mund të kërkohet votëbesim më në çdo periudhë kur ka probleme politike.



