Gjermania është e ftohtë në lidhje me marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë. Në përgjigje të interesimit të DW, në konferencën e rregullt të qeverisë, u tha: “I përshëndesim parimisht të gjitha përpjekjet që bëhen për përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, por mbështesim sidomos tërësisht përpjekjet ndërmjetësuese të të ngarkuarit të BE-së, Lajçak.”
Mungesa e euforisë gjermane ka të bëjë me faktin, që marrëveshja në radhë të parë nuk ishte marrëveshje, thuhet nga qarqet diplomatike. Kjo, jo vetëm për shkak të formës, siç do të konstatonte ambasadori Wolfgang Ischinger, në një mesazh në Twitter.
“Gjë e mirë që Shtetet e Bashkuara kujdesen për Kosovën dhe Serbinë. Por është e rëndësishme të shënohet se nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje mes palëve në Uashington DC, sepse ende nuk ka një njohje reciproke. Mbetet shumë punë për BE-në, Miroslav Lajçak dhe Komisionin e BE-së", shkruan organizatori i Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Përmbajtja e marrëveshjes shihet me rezerva në Gjermani. “Është e vështirë të sjellësh në një emërues të përbashkët atë që është nënshkruar të premten në Uashington. Sepse kemi të bëjmë me një potpuri të larmishme deklarimesh qëllimi", thuhet në një analizë të gjermanes "Frankfurter Allgemeine Zeitung".
Edhe në planin e bisedimeve Serbi-Kosovë, vëzhguesit në Berlin, janë të pakënaqur me pikën që e detyron Kosovën të heqë dorë për një vit nga aplikimi ne organizatat ndërkombëtare. "Ky është një kthim prapa në procesin e njohjes së Kosovës", thotë për DW, një diplomat i rangut të lartë ne Berlin. Gjermania ka qenë lobuesja kryesore në vitin 2018 për ta anëtarësuar Kosovën në Interpol. Të pakënaqur janë qarqet nga Berlini edhe për shkak të futjes së Kosovës në Mini-Schengen. Sepse ka qenë Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal struktura e parë e krijuar enkas për këtë qëllim në kuadër të Procesit të Berlinit dhe aty përshiheshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.



