
Sot do të mbahet mbledhja e përbashkët mes dy parlamenteve, të Shqipërisë dhe të Kosovës. Nga vendi ynë të pranishëm do të jenë 60 deputetë.
Në agjendë do të jetë fjalimi i dy kryetarëve të Kuvendeve, gjithashtu fjalimi i dy kryeministrave dhe më pas i kryetarëve të grupeve parlamentare. Mbledhja e përbashkët mes dy qeverive do të mbahet në Prishtinë në orën 11:00.
Objekt i kësaj seance do të jetë për koordinimin e axhendës kombëtare për realizimin e objektivave strategjike.
Më konkretisht, bëhet fjalë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, integrimi euroatlantik i Kosovës, mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve dhe rritja e kontributit të faktorit shqiptar në zhvillimin, demokratizimi, paqja e siguria në rajon.
I pari që mban fjalën, do të jetë kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, të cilin e pason kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, për të vazhduar më tej me krerët e grupeve parlamentare të dy vendeve.
Të fundit që do të flasin do të jenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe më pas ai i Kosovës, Albin Kurti.
Kjo është hera e dytë që Shqipëria dhe Kosova organizojnë një mbledhje të përbashkët të dy Kuvendeve. Për herë të parë dy Kuvendet zhvilluan takim më 27 nëntor 2022, me rastin e 110-Vjetorit të pavarësisë.

Axhenda dhe pjesëmarrësit:
Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës
Elisa Spiropali, Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
Mesila Doda, Kryetare e Grupit Parlamentar Demokraci dhe Integrim, Kuvendi i Shqipërisë
Besnik Tahiri, Kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kuvendi i Kosovës
Fatmir Mediu Anetar i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim, Kuvendi i Shqipërisë
Enis Kervan, Kryetar i Grupit Parlamentar Multietnik, Kuvendi i Kosovës
Arben Gashi, Kryetar i i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kuvendi i Kosovës
Gazment Bardhi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kuvendi i Shqipërisë
Abelard Tahiri, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Kuvendi i Kosovës
Niko Peleshi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste,
Kuvendi i Shqipërisë
Mimoza Kusari-Lila, Kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Kuvendi i Kosovës
Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës



