Shkeljet e bëra nga Presidenti Ilir Meta, juristi Jordan Daci i ka cilësuar si të lehta duke deklaruar në gjykimin e tij se nuk janë të mjaftueshme për shkarkimin e tij.
Ndërsa i pyetur lidhur me cilësinë e hetimit nga komisioni hetimor, në një lidhje Skype me studion e lajmeve në MCN TV ai e ka krahasuar me gjyqet e xhaxhi Enver, pasi sipas tij dy ekspertë nuk janë mjaftueshëm.
“Në gjykimin tim Presidenti Meta ka kryer shkelje, por që janë të lehta. Hetimi i Komisionit të posaçëm hetimor mua më duket si gjyqet e xhaxhi Enver që ishin ata dëshmitarët për çfarë u programua. Në rastin konkret mjafton të hynin aty ku matet ekspertiza e shkencës dhe do verifikonin dhe nëse ky komision do ishte i vërtet do të duhet të kishte thirrur edhe ekspertë të tjerë sepse të japësh mësim në shtet nuk të bën ekspert. Ekspertët janë ata të cilët kanë botime shkencore që janë referencë për të tjerët, që kanë grada dhe titujt shkencorë. Nuk mjaftojnë vetëm dy, por duhet të ishin 5-6 apo më shumë. Ky komision ka pasur për qëllim të bëjë një procedurë për të shkarkuar Presidentin. Megjithatë mund të them se vendimet për shkarkimet e Presidentit kanë qenë dhe mbeten shumë të vështira, madje në gjithë botën mund të numërojmë vetëm 17 raste”, tha Daci.
Ndërsa mundësisë që Kushtetuesja ti drejtohet Komisionit të Venecias, Daci tha se e drejta ekziston, por në rastin konkret nuk mendon se është e nevojshme, pasi shkelja në vetvete nuk është aq e rëndë.
"Kushtetuesja ka të drejtë ti drejtohet Komisionit të Venecias, por nuk mendoj se do ishte e nevojshme në rastin konkret. Shkelja në vetvete nuk është aq e rëndë. Çdo njeri do e kuptonte dhe më besoni se maxhoranca ka dështuar në arsyetimin e kërkesës në atë standard që kërkonte kushtetuesja. Gjykata kushtetuese do të shohë gjithë propozimin duke vendosur jemi apo jo përpara një shkelje të rëndë kushtetuese. Kemi një nen të posaçëm për shkarkimin e presidentit, çka do të thotë që fakti që kemi dispozita të posaçme për shkarkimin e president mendoj se kushtetuesja e ka tagrin e shkarkimit”, u shpreh Daci.



