Deputeti demokrat Saimir Korreshi, humbjen e kandidatit të opozitës në zgjedhjet e pjesshme të bashkisë Rrogozhinë, e cilësoi si mesazh nga qytetarët se opozita nuk është bindëse dhe nuk karikon. Duke folur për MCN Live, ai deklaroi se në dy muaj nga 14 maji deri në 23 korrik, përveçse ka pasur dy muaj të jashtëzakonshëm me hajdutllëqe dhe skandale nga kjo qeveri, nuk ndodhi diçka te opozita që të ishte zhgënjyese. “Përveçse e kanë kthyer në institucion vjedhjen e votës, ata ishin të atashuar, me blerjen e biletave. Shteti ishte i gjithi i angazhuar i gjithi në Rrogozhinë, ndërsa opozita në plazh. Ata kanë filluar që në dhjetor fushatën zgjedhore, 8 muaj harxhime, ndërkohë që opozita me gjithë strukturat e saj nuk ka qenë në mbështetje të kandidatit. Kemi marrë faturën në 14 maj, nuk është se duhej Rrogozhina për të kuptuar se ku ishim. Opozita e përçarë nuk është alternativë, nuk është e besueshme. 14 maji ishte mesazhi i fortë se PD duhet të bashkohej se ndryshe e mori perrupia.” Ndërsa për sherrin për vulën e PD, ku grupi i Lulzim Bashës kanë firmosur që t’i marrin vulën Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, Korreshi tha se vulës i ka humbur pronari dhe nuk dihet kush është. “Le ta marrin vulën, ta mbajnë në xhep. Ideja është një grotesk, po ndodh çudia më e madhe. Ne nuk jemi keq për ti gjetur partisë kryetar, ideja është për të gjetur një zgjidhje për të bashkuar demokratët, për të gjetur një zgjedhje. I ka hyrë ndonjëherë lapsit, unë e di që makina llogaritëse nuk i punon, por sa njerëz ka? Sa vota kanë marrë këta njerëz që flasin për këta, a marrin votën e shtëpisë së vetë. Janë ca që kanë vetëm Facebook për veten e vetë dhe shajnë. Pyetja është shumë e thjeshtë: doni parti që të ketë kryetar, apo duam të bëhemi alternativë e qëndrueshme për 2025? Baza është e bashkuar, baza i merr indiciet nga lartë, prishja vjen nga Tirana.”



