
Ismail Kadare është shpallur fitues i Çmimit Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë. Kadare është laureati i 26-të i çmimit të njohur Ndërkombëtar për Letërsinë Neustadt. Çmimi Neustadt njeh meritat e jashtëzakonshme letrare në letërsinë në mbarë botën.
Në faqen zyrtare të "Neustadt Prize" thuhet se "Kadare është një romancier, poet, eseist dhe dramaturg shqiptar , i cili ka shkruar disa vepra të mëdha. Ai botoi romanin e tij të parë, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", në vitin 1963. Ka fituar shumë çmime ndërkombëtare dhe vlerësohet nga disa si një nga më të mëdhenjtë e shkrimtarëve bashkëkohorë evropianë. Ai është përmendur shpesh si pretendent për çmimin Nobel në Letërsi".
Kadare ishte nominuar nga Kapka Kassabova për romanin “Prilli i thyer”.
“Proza e Kadaresë vlerësohet për ekonominë, poezinë dhe eksplorimin e pashembullt të kulturës së tiranisë. Puna e tij është një testament monumental për vëzhgimin e tij sipas të cilit "shkrimtari është armiku i natyrshëm i diktaturës". Romanet e tij janë përkthyer në dyzet e pesë gjuhë. Në 2005, ai u nderua me çmimin inaugurues “Man Booker International” për "një tërësi veprash të shkruar nga një autor që ka patur ndikim të vërtetë global". Ai ka marrë edhe çmimin “Princi i Asturiasit” në Spanjë (2009) dhe Çmimin e Jeruzalemit për Lirinë e Individit në Shoqëri (2015)”, thuhet në përshkrimin që i është dedikuar Kadaresë.
Për çmimin e vitit 2019, Kadare kishte 8 rivalë: Emmanuel Carrère (Paris), Jorie Graham (e lindur në Itali por jeton në SHBA prej vitit 1968), Jessica Hagedorn (e lindur në Filipine, jeton në SHBA), Eduardo Halfon (lindur në Guatemalë, jeton në SHBA), Sahar Khalifeh (Palestinë), Abdellatif Laâbi (Marok), Lee Maracle (Kanada) dhe Hoa Nguyen (SHBA).
Çmimi Ndërkombëtar Neustadt në Letërsi është themeluar për herë të parë në vitin 1969 nga Ivar Ivask, botues i “Books Abroad” në SHBA.
Është çmimi i parë letrar ndërkombëtar në Shtetet e Bashkuara dhe është ndër të paktat gara në të cilat poetët, romancierët dhe dramaturgët nominohen në mënyrë të barabartë.
Çmimi sponsorizohet nga Universiteti i Oklahomës dhe World Literature Today, në vlerën 50 mijë dollarë.
Kandidatët përzgjidhen nga një juri prej të paktën 7 anëtarësh. Përzgjedhja nuk kufizohet në zona gjeografike, gjuhë apo zhanre të letërsisë.
Këtë çmim e kanë marrë shkrimtarë si Gabriel Garcia Marquez, Octavio Paz, Giuseppe Ungaretti, Tomas Transtromer, Czeslaw Milosz etj.



