Për të tretin vit radhazi në Manhattan, u mbajt edicioni i 3-të i “Nëntorit Shqiptar në New York”, me producent Eduard Deda, organizatori i Miss Universe Albania dhe Miss Universe Kosova.
Eventi i cili ka për qëllim promovimin e Shqipërisë dhe vlerat e kombit, do të transmetohet ekskluzivisht këtë fundvit në ekranin e MCN Tv. Një spektakël që nuk duhet humbur, ka bërë bashkë shqiptarët e diasporës përmes kulturës, muzikës, traditës etnografike dhe frymës shqiptare për festat e nëntorit.
Gjatë këtij spektakli nuk ka munguar as çmimi për mirënjohjen, të cilin këtë vit e mori Richard Grenell, diplomati për Ballkanin Perëndimor. Grenell ka luajtur një rol kyç në dialogun Kosovë-Serbi, si dhe ka ndihmuar Shqipërinë të jetë më afër politikës amerikane. Gjithashtu Grenell ende vazhdon kontributin e tij për Ballkanin si një rajon i favorshëm ekonomik.
Në fjalën e tij, Grenell tha: Është një kënaqësi për mua të jem këtu! Më thanë të mos jem politik sonte, por dua të them se me këto që po ndodhin në botën tonë sot, me të gjitha luftërat që po shohim sot, mendoj që shumë njerëz do të binin dakord që nëse nuk do të kishim luftën në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme do të kishim një zhvillim ekonomik dhe paqe në Ballkan nëse Donald Trump do të ishte ende President i SHBA.
Mendoj që të gjithë e dimë se Shqipëria është ylli i shndritshëm i Ballkanit. Si pjesë e NATO-s, një aleat shumë i ngushtë i SHBA, është e rëndësishme që SHBA dhe Shqipëria të vazhdojnë këtë rrugë të bashkëpunimit ekonomik. Unë personalisht po shoh për mënyra se si të investojmë në Shqipëri çdo ditë dhe po takohem përditë me biznesmenë amerikanë duke diskutuar për mënyra strategjike investimi në Shqipëri pasi Shqipëria është një vend fantastik për investim dhe është vendi më i favorshëm në Ballkan.
Spektakli i “Nëntorit shqiptar në New York” u moderua nga Teni Vllaçaj dhe Endi Demneri, e cila përfaqësoi më së miri Shqipërinë në Miss Universe, duke u renditur në top 15. Ju kujtojmë se Miss Universe Albania për tre vitet e ardhshme do të transmetohet në MCN Tv.



