
Kur kanë kaluar pak ditë nga atentati i Edison Begaj pranë banesës së tij në fshatin Kaninë, policia ka gjetur një automjet tip Mercedes Benz në Lushnje. Makina është gjetur në një kanal e braktisur dhe brenda saj është gjetur një uniformë policie, si ajo e përdorur në atentatit ndaj 39-vjeçarit.
Për këtë arsye, makina është lidhur me ngjarjen e Vlorës dhe automjeti tip Mercedes Benz E-class ngjyrë blu, është transportuar për në komisariatin e Vlorës, në kuadër të hetimeve për atë ngjarje. Pista kryesore e hetimit për atentatin ndaj Begajt është ndonjë konflikt i kohëve të fundit i shënjestrës, ose ndonjë konflikt i tij i vjetër.
Atentati ndaj 38-vjeçarit ndodhi mbrëmjen e të shtunës që lamë pas, ku Begaj u qëllua me katër plumba në këmbë. Nga pamjet që siguroi “MCN” Edison Begaj është qëlluar në hyrje të banesës së tij, sapo del nga makina, ndërsa brenda mjetit ndodhen ende fëmijët e tij të mitur.
Pamjet tregojnë momentin kur Begaj del nga mjeti, ndërsa aty afrohet autori i armatosur dhe i veshur si polic, e qëllon teksa ndodhet përballë tij. Pas plagosjes Begaj ka shkuar në spital me makinën e tij, të cilën e ka drejtuar bashkëshortja, ku brenda kanë qenë edhe fëmijët e tyre.
Begaj jetonte në Kaninë, larg nga rruga kryesore, në një shtëpi të fortifikuar si kështjellë me kamera sigurie në çdo cep, çka tregon se i ruhej një atentati të mundshëm. Edison Begaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai është subjekt i OFL dhe i dënuar dhe kapur disa herë me drogë përgjatë viteve.



