Koreja e Veriut deklaroi të dielën se një ditë më parë ka kryer një stërvitje “të papritur” të raketës balistike ndërkontinentale Hwasong-15, mes kërcënimeve ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut, sipas mediave shtetërore.
Raketa e lëshuar pasditen e së shtunës nga Aeroporti Ndërkombëtar i Phenianit dëshmoi besueshmërinë e sigurt të parandalimit tonë të fuqishëm fizik bërthamor, tha Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve.
Raketa ndërkontinentale mund të ketë rënë në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë jashtë territorit të saj verior në testin e parë nga Pheniani në tre muaj, sipas qeverisë japoneze.
Testimi i saj ka shkaktuar protesta dhe dënime nga Tokio, Seuli dhe Uashingtoni.
Kim Yo Jong, motra më e vogël e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, kritikoi Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut për “shkatërrimin e stabilitetit të rajonit” dhe paralajmëroi në një deklaratë se Pheniani “do të ndërmarrë kundërveprim korrespondues dhe shumë të fuqishëm dhe dërrmues kundër çdo lëvizje armiqësore”.
KCNA raportoi se raketa fluturoi 989 kilometra për 66 minuta e 55 sekonda, duke arritur një lartësi maksimale prej 5.768.5 km, përpara se të godiste me saktësi një zonë të paracaktuar në ujërat e hapura të Detit të Japonisë.
Testimi i fundit erdhi një ditë pasi Koreja e Veriut denoncoi një plan nga SHBA dhe Koreja e Jugut për të kryer stërvitje të mërkurën e ardhshme, si dhe një raund tjetër stërvitjesh të përbashkëta ushtarake në mars.
Ministri i Mbrojtjes i Japonisë, Yasukazu Hamada, tha të shtunën se ICBM mund të udhëtojë mbi 14.000 km dhe të arrijë kudo në kontinentin e SHBA-së, nëse niset në një trajektore normale.
Koreja e Veriut lëshoi për herë të fundit raketën Hwasong-15 në vitin 2017. Në nëntor të vitit të kaluar, ajo lëshoi ICBM-në e re Hwasong-17, e cila gjithashtu mund të ketë rënë në Japoni.



