Imami i xhamisë Goricë në Pogradec, Dritan Shaho, thotë se luftërat në emër të islamit hedhin baltë mbi besimin mysliman, që në realitet është larg çdo të keqeje.
Shaho lutet për shkatërrimin e Shtetit Islamik.
“O Allah, Zot i botërave, shkatërroji ISIS-in dhe orkestruesit e tij, të cilët vrasin myslimanë dhe njerëz të pafajshëm dhe prapë ju hidhet baltë fesë të pastër, Islamit, që është larg çdo të keqeje”, shkruan ai në “Facebook”.
Në një intervistë për televizionin lokal, të cilën ai e ka publikuar në profilin e tij, Shaho shpjegon arsyen se pse shumë të rinj nga Pogradeci u larguan për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.
“Që ISIS të bëhej i besueshëm, i duheshin ca myslimanë ndoshta edhe injorantë që të bëhej i besueshëm se ishte në emër të islamit. Ne kemi fëmijët tanë që na kanë ikur andej. Kanë ikur të gënjyer. E tillë ishte situata. Kanë ikur që të bëhej e besueshme një kauzë. Këtu kishte shumë të rinj që frekuentonin xhamitë. Na erdhi keq që na shpëtuan, na dolën nga duart. U ndikuan nga një zhurmë e çastit”, thotë ai.
Shaho shprehet se të penduarve që kanë marrë rrugën drejt Sirisë duhet t’u hapet dera.
“Pse duhet të quhen terroristë këta djemtë tanë, kur ne po marrim muxhahedinë. Çfarë dimë ne për ta?. Pse nuk i marrim këta tanët dhe u themi: Nëse jeni penduar, kthehuni”, thotë ai.



