Në kohën kur Prokuroria e Posaçme ka avancuar me arrestime zyrtarësh të nivelit të lartë, mes të cilëve kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliaj; dhe është vënë në shënjestër të dy partive të mëdha, qëndrimet e politikës ndaj SPAK-ut janë nën monitorimin e partnerëve. Drejtori i Zyrës së Fondacionit "Konrad Adenauer" në Shqipëri thekson se Prokuroria e Posaçme vijon të ketë mbështetjen e ndërkombëtarëve. Ai i konsideron ndërhyrjet për përmirësimin e reformës çështje të brendshme, por thotë se shteti i së drejtës dhe institucionet e reja duhet të jenë në të njëjtën linjë me rekomandimet e Bashkimit Europian.

Kur u krijua SPAK, bashkësia ndërkombëtare dha mbështetje të madhe, dhe kjo mbështetje vazhdon edhe sot, kryesisht nga institucionet e BE-së. Qëndrimi im konkret është ai që ju dhashë në përgjigjen time të fundit: gjërat që kanë të bëjnë me zhvillimet e brendshme të një vendi janë ceshtjet i atij vendi. Sigurisht që ne mund të ofrojmë këshilla dhe ekspertizë nga jashtë, por vërtet e kam të vështirë të ndërhyj në punët e brendshme të një vendi apo edhe të shpreh mendimin tim për procese, çështje gjyqësore, arrestime, ku e njoh sfondin specifik vetem nga shtypi, nga diskutimet, por si fondacion politik gjerman nuk jemi as padites, as mbrojtës, as gjykates.

Thomas Kunze thotë se fondacioni që ai drejton është i gatshëm të japë ekspertizë për përmirësimin e reformës nëse do t’i kërkohet.

Nëse ekspertiza jonë kërkohet, ne e ofrojmë atë, por që t'u japim këshilla partnerëve tanë "bëni kështu ose bëni ashtu", përndryshe nuk bashkëpunojmë me ju, kjo nuk është puna jonë. Qytetarët shqiptarë duhet të vendosin vetë. E di që BE dhe institucionet e saj e mbështesin këtë reformë në drejtësi dhe po ashtu edhe SPAK-un, dhe ka arsye të forta për këtë, por siç thashë, ne si organizatë gjermane, si një fondacion politik, mbështesim me punën tonë çështje përmbajtësore, por në të vërtetë nuk mendoj se është mirë kur një organizatë e huaj i thotë një vendi tjetër, apo miqve ose partive të bëjnë diçka në këtë mënyrë ose në atë mënyrë.

Sanksionimi si person i padëshiruar nga Shtetet e Bahskuara të Amerikës dhe Britania e Madhe i Sali Berishës tashmë nuk përbën më shqetësim për organizatën politike gjermane "Konrad Adenauer". Në intervistën e parë për MCN, Kunze thekson se Partia Demokratike është partnere e PPE dhe CDU-së në Gjermani dhe përderisa janë zgjedhur problemet e brendshme në atë formacion politik, bashkëpunimi me Berishën nuk përbën problem.

Ne bashkëpunojmë me PD. Situata në PD tashmë është e qartë. Kryetari quhet Sali Berisha, i cili njihet nga të gjithë anëtarët e PD-së. Prandaj nuk është problem për ne, edhe pse sigurisht që do të ishim të lumtur nëse do të zgjidheshin problemet që ai ka në Amerikë dhe Britaninë e Madhe. Dua të theksoj gjithashtu se bashkëpunimi yne dhe prania jonë këtu në Shqipëri nuk përqendrohet vetëm te PD. Ne punojmë për një gamë të gjerë temash edhe me partnerë të tjerë, përfshirë edhe partinë aktuale qeverisëse, ndaj së cilës nuk do të jemi armiqësorë, për hir të Zotit, dhe natyrisht trajtojmë një shumëllojshmëri temash, jashtë politikës.

Duke iu referuar zgjedhjeve në Gjermani, drejtori i Konrad Adenaër rendit si pikë kryesore të programit të kancelarit të ri reduktimin e numrit të emigrantëve.

Duhet të mbështeten zhvillimi i politikave ekonomike, bizneset e vogla dhe të mesme. Duhet të sigurohet që më pak sipërmarrës, më pak kompani, më pak biznese të mesme të largohen nga vendi. Kjo kërkon kushte që besoj se do t'i krijojë një qeveri e udhëhequr nga CDU/CSU. Gjithashtu numri i emigrantëve që vijnë në Gjermani duhet të ulet ndjeshëm. Aktualisht kemi arritur në një pikë në Gjermani ku nuk mund të vazhdojmë më me emigracionin ashtu siç e kemi pasur në vitet e fundit.

Kunze vlerëson se kancelari i ri i Gjermanisë do të bashkëpunojë me qeverinë shqiptare, kushdo qoftë ajo, në kuadër të shtetit të së drejtës dhe integrimit në BE.