Një atentat me armë zjarri ka ndodhur ditën e sotme në mbrëmje te kryqëzimi i “Komunës së Parisit” në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur para pak minutash, ndërsa mësohet se një person është qëlluar dy herë me armë zjarri.
I plagosuri udhëtonte në mjetin me targë AA777RT dhe thuhet se është 24-vjeç.
Sipas informacioneve të para të policisë, mësohet se ka pasur shkëmbim zjarri mes disa makinash.
Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbëritur policia dhe po heton për shkaqet e kësaj plagosje.
Informacioni paraprak nga Policia:
Më datë 03.08.2017, në Numrin e Emergjencave 112, rreth orës 19:55, ka ardhur një telefonatë për shkëmbim zjarri në kryqëzimin e Komunës së Parisit.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se ka pasur një shkëmbim zjarri midis disa mjeteve, ku për pasojë ka mbetur i plagosur në shpatull shtetasi L.H., 24 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit. Vazhdon krehja e zonës. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.



