
Kryedemokrati Sali Berisha fjalimin e Kryeministrit Edi Rama në Këshillin e Europës, e cilëson si fjalimin antishqiptar në Strasburg dhe thika pas shpine që ky armik i egër i kombit shqiptar, i futi kombit tonë, Kosovës dhe Shqipërisë.
Në konferencën e sotme për mediat, Berisha deklaroi se Edi Rama në Strasburg, me fjalën e tij, dyfishin e kohës së lejuar, të cilën sot, mund ta mbante vetëm Lukashenko i Bjellorusisë, me këtë qëndrim grotesk, detyroi Komitetin Presidencial të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Euroëps, dhe grupin më të madh të kësaj asambleje, krahas mallkimeve, fyerjeve dhe sharjeve që lëshoi, të bojkotojnë zyrtarisht darkën, pavarësisht se ishte aty kryeministër i një vendi anëtar të Këshillit të Europës dhe NATO-s.
Ky akt nuk ka ndodhur kurrë në historinë 73-vjeçare të këtij institucioni. Por ndodhi për herë të parë me kryeministrin e të parit dhe të vetmit narko-shtet në Europë. Shqipëria dhe asnjë vend tjetër anëtar i këtij institucioni në 73 vite jetë, nuk ka njohur kurrë një turpërim të tillë. Edi Rama shpalli në Strasburg aktin e madh të tradhtisë kombëtare, duke shpalosur aty tezën antikombëtare të kombit kosovar. Edi Rama e la Kosovën nën pushtimin serb dhe jugosllav, por nuk foli ndonjëherë për kombin kosovar. Beogradi promovoi me gjithë fuqinë e tij tezën e kombit kosovar dhe shqiptar. Me këtë tezë, Edi Rama jo vetëm miratoi ndarjen në dysh të kombit shqiptar, por indirekt edhe zhdukjen e kombit, pasi ai është kosovar. Kjo është thika më e rëndë që i futet kombit shqiptar. Ai futi thikën Kosovës, pasi dështoi me turp me tezën e luftës civile në Kosovë, në Strasburg i vlerësoi thjesht si një konflikt humanitar, ndërkohë që ai ishte një gjenocid me bazë racizmin e serbëve ndaj shqiptarëve. Edi Rama i futi thikën Kosovën në momentin më të papërshtatshëm, pikërisht kur ajo kishte nevojë për lobim pozitiv për anëtarësim në Këshillin e Europës, ai në sallën e këtij tempulli, lëshoi lumë sharjesh e akuzash të padëgjuara në gjithë ekzistencën e atij institucioni. I bëj thirrje KiE që të votojë Kosovën si anëtar të ri dhe të mos ndikohet nga retorika që është në mision kundër kombit të vet. Së fundmi, Edi Rama i futi thikë pas shpine Kosovës, pasi zgjodhi për mbrojtje mjetin më të dëmshëm, presionin e hapur politik ndaj gjykatës. Reagimi i Edi Ramës zgjoi neveri dhe dënim në komunitetin ndërkombëtar, përfshi edhe te personalitete që kanë lobuar për të liruar udhëheqjen politike të Kosovës.
Në vijim Berisha i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të ndalojnë fushatën politike të Ramës ndaj gjykatës së Hagës si mjet për të maskuar vasalitetin e tij ndaj Beogradit. Sipas tij, është akti i një burracaku që kërkon të fshihet pas hijes së vet. Ai shkon më tej duke thënë se Edi Rama ka qenë kryetar i PS, kur deputetët e tij kanë votuar në parlament, ligjin për hetimin ndërkombëtar të këtyre krimeve në territorin e Shqipërisë.
Pra, Edi Rama ka qenë 100 përqind dakord me këtë. Unë shoh me një keqardhje disa qëndrime të autoriteteve të ndryshme në Kosovë, që nuk e frenojnë Edi Rama. Ai po dëmton gjendjen e udhëheqjes politike të burgosur në Hagë. Nëse presidenti i një vendi u arrestua pothuajse në avion, që nuk ka ndodhur kurrë, në mënyrën më të pamerituar, kjo ndodhi për shkak të fushatës anti-gjykatë të Ramës dhe Baton Stanishiçit. Absolutisht, qëndrimi më i keq që mund t’u bëhet zotërinjve Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Fatmir Limaj, është fushata e çmendur e Edi Ramës, gjoja po i ndihmoj, por po i dëmton në palcë. Kjo me të gjitha, sidomos fjala e tij në Asamblenë Parlamentare. Është interpretuar si presion politik, gjë që e hedhin me neveri në Europën Perëndimore. Nëse do t’i ndihmojë, të caktojë një fond dhe të marrë avokatët më të mirë dhe t’i dërgojë në sallë. Por Edi Rama po përkeqëson gjendjen e tyre para trupit gjykues në Hagë. Unë në radhë të parë jam kosovar. Kurse Edi Rama po bën gjithçka për interesat e tij personale. Kosova ishte në prag të anëtarësimit, Rama kishte disa mënyra më efiçente që të lobonte për këtë anëtarësim.



