
Niveli i lartë i vitaminës D në gjak na mbron nga një prej tumoreve më të rrezikshme, atij të zorrës së trashë. Efekti i saj është zbuluar nga një studim i publikuar në “Journal of the National Cancer Institute”.
Incidenca kancerit të zorrës së trashë është 1 në 24 për femrat dhe 1 në 22 për meshkujt. Sëmundja renditet e dyta në listën e patologjive tumorale vrasëse.
Por sipas studiuesve, vitamina D, e njohur për ruajtjen e shëndetit të kockave, mund të reduktojë rrezikun e zhvillimit të këtij tumori.
Në një përfundim të tillë është arritur pas vëzhgimit të 5700 rasteve me tumor të zorrës së trashë, të cilët janë mbikëqyrur për 5.5 vjet.
Mjekët thonë se nivelet optimale të rekomanduara për shëndetin e kockave mund të jenë më të vogla se nivelet optimale që parandalojnë tumorin e zorrës së trashë. Praktikisht, kjo do të thotë që vitamina D është e nevojshme në sasi më të mëdha sesa ne e marrim zakonisht.



