
Në protestën e 112-të radhazi para Kryeministrisë, protestuesit kërkuan veç të tjerave, edhe ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Në pankartat e ditës së sotme u kërkua edhe hapja e listave të deputetëve.
“Listat s’janë pronë, mandatet s’janë pazar,
Hapini 100%, le të zgjedhë çdo shqiptar”.
Në tubimin e përnatshëm para Kryeministrisë, protestuesit kanë përsëritur kërkesat e tyre për dorëheqjen e Ramës dhe anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura.
Një prej protestuesve që mori fjalën tha se kryeministri dhe opozita janë bashkë, ndërsa ajo që del në shesh përnatë është opozita e vërtetë e këtij vendi.
“Dua t’i them Edi Ramës se kemi 112 ditë këtu dhe ti je trembur. Ti dhe Sali Berisha jeni bashkë, por Rama ka pushtetin. Po Rama po shet pasurinë e këtij populli. U bëj thirrje miqve tanë kudo që janë të na mbështesin. Të mbledhim forcat, Rama i ka ditët e shkurtuara. Kemi sinjale dhe ne, sot i kanë dalë kundër edhe disa njerëz të vet, i kanë quajtur Ballukun kuçedër dhe kanë të drejtë. Por tani përveç atyre që kanë interes, i bëj thirrje të gjithë shoqërisë shqiptare të bashkohen. Kam edhe një kërkesë për demokratët që gjenden te Sali Berisha, mos i besoni më…Sali Berisha është me Edi Ramën, kokë e këmbë”, tha ai.



